Nga Shaun Walker – The Guardian
Në fotografitë e publikuara nga bisedimet Rusi-Ukrainë në Stamboll, u dallua një fytyrë duke buzëqeshur teksa zhvilloheshin negociatat.
Miliarderi i sanksionuar Roman Abramovich nuk është zyrtarisht pjesë e delegacionit rus, por me sa duket ka luajtur një rol të madh në prapaskenë, duke fluturuar mes Moskës, Kievit dhe Stambollit që kur Rusia pushtoi Ukrainën.
Pyetja se çfarë roli po luan Abramovich dhe pse, u ngrit që të hënën, kur Wall Street Journal zbuloi se ai dhe një deputet ukrainas ishin në mesin e 3 personave që u sëmurën me simptoma të ngjashme me helmimin kimik, gjatë një raundi negociatat në Kiev në fillim të marsit.
Një burim konfirmoi për Guardian se Abramovich ishte sëmurur pas takimit dhe kishte humbur shikimin për disa orë. Ai u shërua shpejt dhe ishte në gjendje të merrte pjesë edhe në raundet e mëvonshme të negociatave.
Lajmi për helmimin është pritur me skepticizëm të madh. Ky është rast i rrallë që Uashingtoni dhe Moska bien dakord për diçka gjatë këtij muaji. Të dy kryeqytetet dhanë sinjale se nuk e besojnë historinë e helmimit.
“Inteligjenca jonë beson shumë se kjo kishte arsye mjedisore,” – tha një zyrtar amerikan për Reuters të hënën duke shtuar: “P.sh., jo helmim”.
Të martën, Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin theksoi mohimin e tij: “Kjo është pjesë e panikut të informacionit, pjesë e sabotazhit të informacionit, luftës së informacionit. Këto raporte nuk janë të vërteta… është e nevojshme të filtrohet fort nxjerrja e informacioneve.”
Një zëdhënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë, paralajmëroi “ndiqni vetëm informacionet zyrtare”.
Christo Grozev, nga portali “Bellingcat” që gjithashtu publikoi lajmin tha se u qëndronte pretendimeve. “Ne nuk e dimë se kush e bëri, por atje diçka ndodhi,” tha ai.
Grozev ka një histori të gjatë zbulimit të tentativave për helmim, duke përfshirë identifikimin e skuadrës së goditjes ruse që dyshohet se helmoi kritikun e Kremlinit Alexei Navalny në vitin 2020. Ai tha se së shpejti do të jetë në gjendje të nxjerrë më shumë informacion rreth incidentit të fundit.
“Ne po përpiqemi të gjejmë një ekuilibër midis mbrojtjes së privatësisë dhe shqetësimeve të sigurisë së individëve, por edhe informimit të saktë të publikut,” tha Grozev.
Përveç pretendimeve për helmim, shfaqja e oligarkut që rri i tërhequr nga publiciteti, në qendër të negociatave të paqes ka befasuar gjithashtu shumë njerëz.
Vitet e fundit, Abramovich e ka pozicionuar veten si dikush që është tërhequr në skajin e vështirë të jetës së biznesit dhe nuk ka ambicie politike. Ai ka qenë i njohur për financimin e kauzave kulturore. Edhe pse ndonjëherë mund të shihet në galeritë e artit, teatrot apo restorantet e Moskës, ish-pronari i klubit të futbollit Chelsea e urren publicitetin dhe nuk jep intervista.
Lajmet rreth pasurisë dhe mënyrës së jetesës së Abramovich janë fokusuar shpesh tek çështjet e tij gjyqësore. Një betejë epike ndodhi në vitin 2012 në gjykatat e Londrës me ish-mikun e tij Boris Berezovsky, i cili pretendonte se Abramovich e kishte mashtruar me disa miliardë dollarë duke e detyruar atë të shiste aksionet e tij në kompaninë e naftës Sibneft me një çmim të reduktuar. Gjykatësi gjeti në favor të Abramovich.
Kohët e fundit, Abramovich ngriti një çështje shpifjeje në Londër kundër gazetares Catherine Belton, pasi kundërshtoi disa pretendime të saj në librin “Njerëzit e Putinit”, ku thuhej se ai bleu Chelsean me kërkesën e Putin. Abramovich u pajtua me Belton pasi botuesi i saj ra dakord që libri do të pranonte se kjo nuk ishte një çështje e faktuar.
Në atë çështje, avokatët e tij pretenduan se “Abramoviç është dikush që është larg Putinit”, diçka që është vënë në pikëpyetje nga paraqitja e tij e papritur si i dërguar në negociata.
Një burim në delegacionin ukrainas tha për gazetën “Ukrayinska Pravda” se Abramovich e kishte pozicionuar veten si një ndërmjetës neutral dhe roli i tij kryesor ishte “t’ia kalonte qëndrimin tonë, shefit të tyre në gjuhë njerëzore”.
Alexander Rodnyansky, një këshilltar ekonomik i Zelenskiy, i tha Guardian se Abramovich ishte angazhuar si ndërmjetës nga babai i tij, një producent filmash ukrainas që e njeh mirë miliarderin.
Në Kiev, Abramovich shihet si, të paktën, një bashkëbisedues serioz që ka veshin e Putinit. Ekipi zyrtar negociues i Rusisë përbëhet kryesisht nga zyrtarë të nivelit të dytë që nuk shihen si me ndikim, kështu që Putini mund të ketë zgjedhur Abramovich si një bashkëbisedues më serioz për t’ua dërguar ukrainasve.
“Putini po kërkon kanale të pasme. Ai nuk beson në asgjë që është e hapur. Gjithçka duhet të jetë paksa konspirative”, tha gazetarja veterane ruse Yevgenia Albats.
Një burim në Moskë tha se Abramovich kishte pasur dy takime personale me Zelenskiy në Kiev muajin e kaluar, pretendime të cilat nuk janë konfirmuar nga pala ukrainase. Pas vizitës gjatë së cilës Abramovich u sëmur, ai u kthye përsëri për një tjetër udhëtim në kryeqytetin ukrainas, tha burimi.
Në intervistën e tij me gazetarët rusë gjatë fundjavës, Zelensky tha se Abramovich ishte një nga një numër oligarkësh rusë që e kishin kontaktuar duke i ofruar për të investuar në ekonominë ukrainase.
“Ne morëm sinjale nga ai dhe nga disa biznesmenë të tjerë që thonë ‘le të ndihmojmë disi, le të përpiqemi të bëjmë diçka’, tha Zelenskiy. Ai tha gjithashtu se Abramovich ishte përfshirë në diskutime të pasuksesshme për organizimin e korridoreve humanitare.
Megjithatë, ai nuk përmendi vizitat e Abramovich në Kiev, apo takimet e tij të supozuara me oligarkun.
Albats tha se ofertat nga Abramovich dhe biznesmenë të tjerë rusë për të ndihmuar Ukrainën mund të vijnë nga tmerri në luftë, por edhe nga interesi vetjak dhe nga dëshira për të shmangur sanksionet gjymtuese perëndimore.
“Është mënyra se si njerëzit po përpiqen të shpëtojnë vilat, jahtet e tyre dhe gjithashtu të jenë në anën e duhur të betejës. Disa prej tyre të paktën janë të tmerruar. Unë njoh disa që thjesht nuk mund ta besonin atë që ndodh”, – tha Albats. “Pastaj ka disa që thjesht shqetësohen se nuk janë në gjendje të paguajnë pastruesit e tyre.”
Shumë janë skeptikë për rimishërimin e Abramovich si paqebërës.
“Si mund të harroni se kush është ky? Ai është një nga sponsorët më të mëdhenj të regjimit të Putinit”, tha Maria Pevchikh, një bashkëpunëtore e ngushtë e liderit të burgosur të opozitës Navalny dhe drejtuese e Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit.
Pevchikh tha se nuk e pranon idenë se Abramovich mund të ishte një aktor i pavarur në bisedime. “Jam 100% i sigurt se kjo është koordinuar tërësisht me Kremlinin. Kur ke qenë kukulla e Putinit për 22 vjet, nuk bëhesh befas tradhtar”, – tha ajo.