Portugalia bëhet kombëtarja e radhës që pret biletën për në finalet e Botërorit. Suksesi i luzitanëve ndaj Maqedonisë së Veriut u iniciua i gjithi nga Bruno Fernandes, që shënoi një dopietë. Nga një gol për secilën pjesë ishin më se të mjaftueshëm për t’i garantuar Portugalisë pjesëmarrjen e tetë në një kampionat Botëror dhe të gjashtin radhazi.
Në minutën e 32′, një top i humbur nga Ristovski i kushtoi shtrenjtë skuadrës së Milevskit, që nuk pati asnjë mundësi reagimi në kombinimin vrastar mes dyshes së Manchester United, Cristiano Ronaldo-Bruno Fernandes.
Ndërkohë, në fraksionin e dytë vendasit vulosën përfundimisht fatet e takimit. Në të 65′ Diogo Jota shërbeu shkëlqyeshëm për Fernandes në hyrje të zonës, me këtë të fundit që me një gjuajtje akoma dhe më spektakolare e ndali topin për të dytën herë në rrjetë. Pas këtij momenti, Maqedonia e Veriut u dorëzua përfundimisht teksa nuk ia doli të përsëriste një mrekulli të ngjashme si ajo e disa ditëve më parë ndaj Italisë, megjithatë duhen vlerësuar për performancat dinjitoze ndaj përfaqësueseve më elitare.
Në finalen tjetër të play-off-it, Polonia mori revanshin e “Euro 2020” ndaj Suedisë, duke e mposhtur 2-0, dhe në këtë mënyrë siguron pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Gjithçka u vendos në pjesën e dytë, me përfaqësueses polake që drejtohet nga Michniewicz, që kaloi fillimisht në epërsi falë golit të Lewandowskit, falë saktësisë që tregoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke marrë rolin e protagonistit absolut në momentin kur skuadrës i nevojitej më shumë se kurrë.
Në çastin kur Suedia u hodh e gjitha në sulm për të gjetur golin e barazimit, Polonia kishte plane të tjera teksa dyfishoi shifrat me Zieliniskin duke i dhënë goditjen përfundimtare suedezëve.
“Katar 2022” shënon prezencën e nëntë në histori për Poloninë në një kampionat Botëror, ndërkohë që një kombëtare e traditës si Suedia do të jetë një tjetër mungesë e madhe në Kupën e Botës.