Bota Sulmohet edhe ndërtesa e Kryqit të Kuq, Putin: Bombardimet do marrin fund...

Sulmohet edhe ndërtesa e Kryqit të Kuq, Putin: Bombardimet do marrin fund vetëm kur Mariupoli të dorëzohet

Forcat ushtarake ruse kanë sulmuar ndërtesën e Kryqit të Kuq në qytetin e Mariupolit, raportoi nga Kievi avokatja e Popullit të Ukrainës Lyudmyla Denisova.

“Në Mariupol, pushtuesit kanë goditur ndërtesën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha Denisova.

Në deklaratën e postuar në rrjetet sociale, Denisova shtoi se ndërtesa është goditur nga sulme ajrore dhe artileri.

Ndërkaq, qyteti-port i Mariupolit është shkatërruar nga bombardimet ruse.

Gjatë një deklarate zyrtare Kremlini tha se presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij francez se bombardimi i qytetit të Mariupol do të përfundojë vetëm kur trupat ukrainase të dorëzohen.

Por zyrtarët francezë thanë se lideri rus kishte rënë dakord të shqyrtonte planet për evakuimin e civilëve nga qyteti.

Zyrtarët nga pallati Elyseé i Francës e quajtën situatën në kjëtë qytet katastrofike dhe shtuan se civilët duhet të mbrohen dhe duhet të largohen nga qyteti nëse dëshirojnë.

Ata duhet të kenë akses në ndihma ushqimore, ujë dhe ilaçe që u nevojiten.

Franca, së bashku me Turqinë, Greqinë dhe disa grupe humanitare, i kanë paraqitur Putinit një plan për të evakuuar qytetin.

Zyrtarët thanë se Putin i tha Emmanuel Macron-it se ai do të “mendojë” për propozimin.

Mariupoli është i rrethuar nga forcat ruse dhe rreth 160.000 civilë vlerësohet se kanë mbetur të bllokuar, pa pasur qasje në ujë të pijshëm, ushqim dhe produkte të tjera elementare.