Jehona e shuplakës së Will Smith ndaj Chris Rock gjatë mbrëmjes së ndarjes së çmimeve Oscar vijon ende të jetë e fuqishme në të gjithë mediat botërore.
Ndërkohë që artistë dhe qytetarë të ndryshëm janë të ndarë se për cilin ekip do bëjnë tifo, komediani i njohur Jim Carrey thotë se është i neveritur nga ajo që ndodhi.
Si fillim, aktori kritikoi ashpër kolegët e tij për ovacionet për Will Smith, i cili fitoi Oscarin për aktorin më të mirë, as një orë larg veprimit të tij.
Jim Carrey foli për këtë ngjarje gjatë një interviste për CBS. Ai tha qartë: “Jam i neveritur nga ovacionet në këmbë. Hollivudi ka humbur shtyllën kurrizore. Do e padisja Will Smith dhe do kërkoja 200 milionë dollarë”.
Duke iu referuar më pas Smithit dhe reagimit të tij, Carrey tha se nuk do të tregohej i butë ndaj tij siç po tregohet Smith.
“Mund të bërtisni mosmiratimin tuaj nga publiku, të tregoni kundërshtimin tuaj, të thoni diçka në Twitter. Nuk keni të drejtë të ngjiteni në skenë dhe t’i jepni një shuplakë dikujt në fytyrë. Reagimi erdhi nga hiçi sepse Will ka diçka brenda tij që i shkakton zhgënjim. Unë nuk kam asgjë kundër Will Smith, por ai shkatërroi momentin vezullues të të gjithëve”.