Vrasësi me pagesë Nuredin Dumani u tradhtua. Ai kishte planifikuar vrasjen e një të afërmi të Talo Çelës, një prej personave më të kërkuar në Shqipëri, autor i grabitjes së mbi 13 milionë Eurove në Rinas. Por kur iu afrua fshatit Papër në Elbasan, ai u qëllua me breshëri kallashnikovi dhe mbeti i plagosur. Policia e arrestoi në Fier.
Në banesën ku u gjet Dumani u kap nga policia dhe Henrik Hoxhaj. Ky i fundit kishte marrë me qira banesën ku u arrestua Dumani dhe ku mësohet se qëndronte prej rreth 10 ditësh bashkë me një vajzë me origjinë nga Kosova. E reja gjithashtu është ndaluar nga policia, e cila në njoftimin e dhënë deklaroi se i mbetet hetimit për të sqaruar pozicionin e saj.
Policia beson se Nuredin Dumani u qëllua nga Talo Çela ose persona të paguar prej tij. Hetuesit dyshojnë se Çela ishte vënë në dijeni me saktësi për planin e Dumanit, të cilin dikur e kishte pasur mikun më të besuar.
Megjithëse ende skema është e paqartë, sipas Tv Klan që citon burime nga grupi hetimor, kamerat e sigurisë në një biznes në zonë, kanë kapur dy makina që lëviznin me shpejtësi, pranë njëra-tjetrës, ku dyshohet se lëvizte Talo Çela dhe njerëzit e tij.
Pasi u qëllua në lëvizje, Dumani bashkë me një person tjetër janë larguar në drejtim të Fierit.
Në banesën ku fshihej Nuredin Dumani, u gjet edhe një armë zjarri kallashnikov.
Fqinjët e Dumanit tregojnë ai jetonte në këtë apartament prej pak kohësh.
Telefonata anonime
Pyetja që u ka lindur të gjithëve është fakti sesi pak orë pas atentatit, policia arriti të shkonte direkt në apartamentin ku ishte fshehur në lagjen “Apollonia” të Fierit, kur ajo kishte vite që e kërkonte dhe nuk po e gjente?
Ka qenë një telefonatë anonime që ka mbërritur në qarkun e policisë së Elbasanit që informonte pallatin ku fshihej Nuredin Dumani. Madje ka dhënë apartamentin dhe katin ku ishte Dumani. Policia ka vlerësuar këtë telefonatë dhe ka marrë të gjithë masat dhe rezultoi që informacioni ishte i vërtetë
Kjo skemë e informimit dyshohet se është bërë nga njerëz të brendshëm të Nuredin Dumanit pasi ishin ata që e dinin vendndodhjen e tij. Mendohet se një person apo dy anëtarë të grupit të Dumanit duket se kanë pasur lidhje dhe me grupin e Talo Çelës.
Akuzat
Nuredin Dumani dhe Talo Çela janë dy nga personat më të kërkuar të drejtësisë. Ata dyshohet se qëndrojnë pas disa vrasjeve që kanë ndodhur nga Pranvera e 2020-ës e në vijim, fillimisht si bashkëpunëtor e më pas si kundërshtarë.
Dosja kryesore në të cilën Dumani akuzohet si bashkëpunëtor i Talo Çelës, është ajo e vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Pranverën e 2020-ës e cila rezultoi të kishte motiv lekët e grabitura në Rinas.
Pas kësaj vrasje, dyshohet se marrëdhënia e tyre u prish, teksa Prokuroria e Elbasanit beson se Dumani është ekzekutor i Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës. Ngjarje për të cilën ndodhet në kërkim.
Gjithashtu, Nuredin Dumani dyshohet edhe për vrasjen e shtetasit Klevis Kapllani më Rrogozhinë, ndërkohë është i skeduar për disa ngjarje të tjera në Elbasan, për të cilat nuk i është ngritur akuzë, raporton Tv Klan.