Politika Përplasjet në PD, Bardhi reagon për Berishën: Askush nuk mund të përdhosë...

Përplasjet në PD, Bardhi reagon për Berishën: Askush nuk mund të përdhosë dinjitetin e deputetit

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh këtë të mërkurë se ai do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është njoftuar nga Enkelejd Alibeaj që do të mbahet ditën e enjte.

Ndërkohë, ndaj Berishës ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Me anë të një postimi në Twitter, ai shkruan se askush nuk duhet t’i imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti.

“Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike. Askush nuk duhet t’i imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti.

Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur nongrata nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Deri atëherë askush nuk mund të imponohet.

Çdo sjellje tjetër që i imponohet me kokëfortësi grupit parlamentar, pa e pyetur dhe duke e injoruar atë, është e papranueshme dhe jo demokratike”, tha Bardhi.