Kremlini la të kuptohej të mërkurën se çmimi i të gjitha eksporteve të energjisë dhe lëndës së parë të Rusisë mund të vendoset në rubla, duke ashpërsuar përpjekjen e Presidentit Vladimir Putin për ta bërë Perëndimin të ndjejë pasojat e sanksioneve që ka imponuar ndaj Moskës në përgjigje të agresionit ndaj Ukrainës.
Ndërsa ekonomia e Rusisë përballet me krizën e saj më të rëndë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, presidenti rus u kundërpërgjigj ndaj Perëndimit, duke urdhëruar që eksportet e gazit rus të paguhen në rubla.
Çmimet e gazit në Evropë janë rritur që kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi më 23 mars planet që importuesit të paguajnë për gazin natyror rus në rubla në vend të dollarëve dhe eurove.
Cilat janë implikimet e mundshme të një lëvizjeje të tillë?
ÇFARË PROPOZON MOSKA?
Evropa importon sasi të mëdha gazi natyror rus për ngrohje, energji elektrike dhe karburant dhe këto importe kanë vazhduar pavarësisht luftës në Ukrainë.
Rreth 60% e importeve paguhen në euro ndërsa pjesa tjetër në dollarë. Presidenti Putin do ta ndryshojë një gjë të tillë duke u kërkuar importuesve të huaj të gazit të blejnë rubla dhe t’i përdorin ato për të paguar furnizuesin shtetëror Gazprom.
Presidenti Putin i tha bankës qendrore ruse të mërkurën e kaluar që të krijonte një sistem funksional.
ÇFARË EFEKTESH MUND TË KETË KY PLAN?
Importuesve do t’u duhej të gjenin një bankë që do të shkëmbente euro dhe dollarë në rubla. Kjo mund të jetë e vështirë sepse disa banka ruse janë bllokuar ose janë shkëputur nga sistemi SWIFT që lehtëson pagesat ndërkombëtare.
Megjithatë, ka disa banka që nuk janë bllokuar dhe për momentin sanksionet e vendosura nga Departamenti amerikan i Thesarit që ndalojnë transaksionet bankare kanë përjashtime për pagesat e energjisë. Përjashtimi është bërë për të ndihmuar aleatët evropianë që janë shumë më të varur nga nafta dhe gazi rus dhe druhen se një ndërprerje totale mund ta çojë ekonominë e tyre në recesion.
Pagesat për gazin ndaj Rusisë në monedhën e saj, në rastin më të mirë do ta ndihmonin Moskën vetëm minimalisht të shmangte sanksionet financiare, thotë Eswar Prasad, profesor i politikave tregtare në Universitetin Cornell dhe ish-zyrtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Ose Putini po merr këshilla shumë të këqija ekonomike ose po kalon edhe më në ekstrem me urrejtjen e tij për Perëndimin,” tha Prof. Prasad. “Do të ishte më e lirë për importuesit e huaj të paguajnë për eksportet e Rusisë në një monedhë që po bie në vlerë, por është e vështirë të blesh rubla dhe të bësh pagesa në një mënyrë që shmang sanksionet.”
Ai paralajmëroi se kjo masë “mund të trondisë më tej tregjet globale të energjisë duke përkeqësuar situatën me ndërprerjet aktuale të furnizimit dhe duke shtuar pasigurinë rreth furnizimeve të ardhshme, duke shkaktuar një rritje të mëtejshme të çmimeve.”
SI PO REAGON EVROPA?
Qeveritë evropiane dhe kompanitë e energjisë po e kundërshtojnë idenë, duke thënë se kontratat e importit të gazit e përcaktojnë llojin e monedhës dhe se njëra palë nuk mund ta ndryshojë atë brenda natës. Ata thonë se synojnë të vazhdojnë të paguajnë në euro dhe dollarë.
Grupi i shtatë ekonomive kryesore, përfshirë Japoninë, SHBA-në dhe Kanadanë, si dhe Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Britaninë kanë rënë dakord të refuzojnë kërkesën e Moskës. Komisioneri i Energjisë i Bashkimit Evropian po ashtu u shpreh për refuzimin e kërkesës, thuhet në një deklaratë të G-7.
Zëvendës kancelari gjerman Robert Habeck u tha gazetarëve të hënën se “të gjithë ministrat e G-7 ishin plotësisht në një mendje ” se një hap i tillë do të ishte “një shkelje e njëanshme dhe e qartë e kontratave ekzistuese”.
CILI ËSHTË MOTIVI I PRESIDENTIT RUS?
Në teori, kërkesa për pagesa në rubla mund të rrisë kërkesën për monedhën dhe kursin e saj të këmbimit. Por jo shumë, thotë Prasad. Tani për tani, euro dhe dollari po përdoren për të blerë rubla kur Gazprom shkëmben të ardhurat e tij në monedha të huaja.
Qendra për Studime Lindore në Varshavë ka sugjeruar që duke lëvizur fluksin e valutës së huaj nga Gazpromi në sistemin bankar kryesisht të kontrolluar nga shteti, Kremlini do të fitojë kontroll më të madh mbi valutën e huaj që është bërë më e rrallë që kur vendet perëndimore ngrinë pjesën më të madhe të rezervave të Rusisë jashtë vendit.
Megjithatë, kjo do ta linte Gazpromin pa valutë të fortë për të bërë pagesat e borxhit të jashtëm ose për të blerë furnizime jashtë vendit. Furnizuesi i gazit tashmë duhet të shesë 80% të valutës së tij të huaj në bankën qendrore të Rusisë.
Mosmarrëveshja për pagesat në rubla ka ngritur shqetësimet se mund të shkaktojë ndërprerje të furnizimit me gaz natyror. Kjo mund ta bëjë Rusinë të përballet me akuza për mosrespektimin e kontratave afatgjata të energjisë, që i ka respektuar deri më tani.
Sipas analistëve në kompaninë Rystad Energy, sistemi i tubacioneve evropiane është shumë i ndërlidhur, kështu që çdo përpjekje për të kufizuar flukset në disa vende do të ndikonte tek të tjerat. Përtej kësaj, shitjet e energjisë janë një burim kyç i të ardhurave për Rusinë.
I pyetur nga gazetarët nëse Rusia mund të shkurtojë furnizimin me gaz për klientët evropianë nëse ata refuzojnë kërkesën për të paguar në rubla, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha në një konferencë telefonike të hënën se “sigurisht ne nuk do të japim furnizime me gaz falas”.
“Në situatën tonë, është e vështirë dhe e pamundur të angazhohemi për bamirësi ndaj Evropës,” tha zoti Peskov.
SA REAL ËSHTË KËRCËNIMI?
Propozimi për pagesat në rubla bëri që shoqata e shërbimeve të gazit dhe elektrikut të Gjermanisë, BDEW, t’i bënte thirrje qeverisë të shpallte një “paralajmërim paraprak” për një mungesë të madhe të energjisë.
Sipas ligjit të BE-së dhe Gjermanisë kjo është e para e tre fazave të emergjencës energjitike, ku më e larta është kur ka mangësi aq të thella sa qeveria duhet të mbyllë përdorimin e gazit për industrinë për të mbrojtur familjet.
Qeveria gjermane nuk e sheh nevojën për një deklaratë të tillë, tha një zëdhënëse të hënën.
Ka mundësi që Putini po bën bllof. Këtë muaj, Rusia kërcënoi se do të përdorte rubla për të paguar investitorët e huaj që mbajnë obligacione qeveritare në dollarë. Megjithatë pagesat u bënë në dollarë pasi agjencitë e vlerësimit thanë se pagesa në rubla do ta dëmtonte Rusinë.
Kur bëhet fjalë për pagesat e gazit, “Putini mund të kërkojë rubla, por kontratat janë të qarta,” thotë Carl Weinberg, ekonomist i lartë dhe drejtor menaxhues në firmën High Frequency Economics në Nju Jork. “Opsioni i tij i vetëm për të detyruar ndryshim është të refuzojë shpërndarjen e produkteve, dhe kjo nuk mund të ndodhë. Ai nuk mund të parandalojë nxjerrjen e naftës dhe gazit nga toka dhe kapaciteti i magazinimit do të mbushet shumë shpejt nëse ndalohen dërgesat”.
“Pra, le ta quajmë bllof”, thotë zoti Weinberg. “Rusia nuk mund të ndalojë dërgimin e produkteve po aq sa edhe Gjermania dhe BE-ja nuk mund të ndalojnë blerjen e tyre”.
PSE ËSHTË ENERGJIA FAKTOR I RËNDËSISHËM NË LUFTË?
Ekonomia evropiane mbetet shumë e varur nga Rusia me 40% të importeve të saj të gazit dhe 25% të naftës.
Ndërsa SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë thënë se do të ndalojnë blerjen e naftës ruse, udhëheqësit evropianë i janë shmangur një bojkoti total të naftës dhe gazit rus. Në vend të kësaj, ata janë fokusuar në reduktimin e importeve të tyre gjatë disa viteve të ardhshme përmes ruajtjes së rezervave, burimeve të tjera të energjisë dhe kalimit në energji me erë dhe diellore sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ka vlerësime të ndryshme për ndikimin e një ndërprerjeje totale të gazit rus në Evropë, por ato përgjithësisht parashikojnë një humbje të konsiderueshme të prodhimit ekonomik.