Aktualitet Plagosen rëndë për të shpëtuar një grua, dy shqiptarë bëhen akt frymëzimi...

Plagosen rëndë për të shpëtuar një grua, dy shqiptarë bëhen akt frymëzimi në New York

Mirënjohje për një akt guximi qytetar

Nga Ruben Avxhiu

Dy shqiptaro-amerikanë bënë bujë këtë javë kur ndërhynë për të shpëtuar një grua aziatiko-amerikane nga një përpjekje e dhunshme për ta grabitur. Sulmuesit e armatosur me thika goditën të paktën 9 herë babain si dhe djalin që përfunduan të dy në spital.

Por akti i tyre ka frymëzuar shumëkënd që të shprehin mbështetje e falenderim për ta.

Më shumë se 165,000 dollarë janë mbledhur, në vetëm dy ditë, për dy shpëtimtarët babë e bir, kryesisht me shuma të vogla nga mijëra aziatiko-amerikanë.

Në dy vitet e fundit që kanë shënuar një rritje të kriminalitetit në Nju Jork, pre e sulmeve të dhunshme kanë qenë në mënyrë të veçantë aziatiko-amerikanët. Në shumë raste që kanë bërë bujë, si shtyrje në shinat e trenit, me pasojë vdekjen, krimet janë kryer nga njerëz që nuk duhej të ishin jashtë burgut.

Lehtësimi i lirimit të të akuzuarve për të mos u mbajtur në burg deri në ditën e gjykimit është futur si ligj me synimin dashamirës që të mos diskriminojë të varfërit që nuk paguajnë dot shumë e nevojshme për lirim me kusht.

Një arsye tjetër ka qenë drejtësia racore. Sipas statistikave djemtë e zinj janë në përqindje shumë të lartë mes atyre të mbajtur në burg deri ditën e gjyqit.

Në realitet kjo ka sjellë lëvizjen e lirë në rrugët e Nju Jorkut të shumë të rinjve me të kaluar të dhunshme, të kërkuar nga policia për krime të ndryshme, përsëritës të sulmeve fizike e përdhunimeve.

Edhe zgjedhja e kryebashkiakut Eric Adams, një ish-oficer policie dhe demokrat që ka qenë kritik ndaj të majtës radikale që kërkonte shkurtime të buxhetit të policisë dhe që është autore e zbutjes së masave ndaj krimit në qytet, ishte reaksion ndaj frikës prej rritjes së krimit.

Mbështetësit e reformave në drejtësi dhe forcat e rendit këmbëngulin se krimi nuk është rritur edhe aq sa të justifikojë kthimin pas. Ata këmbëngulin se problem më i madh mbeten abuzimet e policisë sidomos ndaj komunitetit afrikano-amerikan.

Por, sidomos mes Aziatiko-Amerikanëve por edhe komuniteteve të tjera etnike ka pakënaqësi dhe frikë se lehtësimet po bëhen në kurriz të sigurisë në qytet. Fitorja e Adams kundër kandidatëve të tjerë të majtë ishte prova se edhe shumica e demokratëve e mendojnë kështu.

Ky reagim i komunitetit aziatiko-amerikan për dy shqiptaro-amerikanët heronj është tregues jo vetëm i mirënjohjes për guximin njerëzor e qytetar, por edhe i nevojë së dëshpëruar për një akt sfidues, për një kundërveprim që prej kohësh po pritet nga forcat e rendit dhe drejtësia. Këto të fundit dhe jo qytetarët janë përgjegjës për sigurinë e rrugëve tona.

***

Ngjarja

Një shqiptar nga Mali i Zi është shpallur “Hero” në një titull nderi për akte të veçanta sublime në qytet. Qazim Suljoviç dhe i biri i tij shpëtuan nga grabitja një grua 61-vjeçare nga një sulm me thikë, pranë vendit të tyre të punës.

Louie Suljoviç, një veteran i ushtrisë amerikane 38-vjeçar, ishte duke punuar pas banakut të picerisë së tij “Elmhurst, Louie’s”, kur ai dhe babai i tij panë të moshuarën duke u grabitur nga dy burra të shtunën mbrëma.

Sipas “New York Post” që të dy ndodhen në spital: “Qazimi është në një situatë të rëndë… ndërsa djali i tij Louie po përmirësohet, ai është i shtruar në spital dhe besoj se do të bëhet më mirë”, tha kushërira e Qazimit, Remzija.

Viktima e moshuar u tha policëve se të dyshuarit i ishin afruar asaj nga pas, e shtynë dhe ia hoqën çantën nga krahu duke e kërcënuar me thikë.

Oficerët arritën të arrestonin dy të dyshuarit kur mbërritën mbas 10-15 minutave rreth orës 21:00, ndërsa policët e tjerë dhe autoambalancat u morën me ndihmën e shpejt të dy viktimave.

Robert Whack, 30 vjeç dhe 18-vjeçari Supreme Gooding u arrestuan për sulmin. Të dy akuzohen për grabitje, sulm dhe armëmbajtje për të kryer veprime kriminale.

Whack u gjet gjithashtu me një sasi të madhe të asaj që policët besojnë se ishte heroinë.

Babai dhe djali po trajtohen në spitalin Elmhurst – i njëjti objekt ku piceria e tyre dhuroi ushqime për stafin dhe punonjësit gjatë mbylljes së qytetit gjatë luftës së pandemisë COVID-19 dy vjet më parë (2020).

Sipas të afërmve të tyre, Louie Suljoviç është duke u përmirësuar dhe Qazim Suljoviç është në gjendje të rëndë.

“Ai dhe babai i tij janë ndër më të mirat që ka për të treguar Nju Jorku. I falënderojmë për guximin e tyre dhe i urojmë shërim të shpejtë”, shkroi në Twitter policia e Komisariatit 110 në lagjen e New Yorku ku ndodhi ngjarja.

Një GoFundMe e organizuar nga njujorkezët e  krijuar për të ndihmuar dy viktimat me shpenzimet e tyre mjekësore kishte mbledhur deri tani më shumë se 48,000 dollarë që nga e marta kur ndodhi ngjarja.

Piceria do të qëndrojë mbyllur derisa Suljoviç dhe babai i tij shërohen, thuhet në faqen e mbledhjes së fondeve GoFundMe./Illyria