Bota Britania: Putin është në kafazin që e ka ndërtuar vetë

Britania: Putin është në kafazin që e ka ndërtuar vetë

Rusia është tani “shtet më i vogël” si rezultat i pushtimit të Ukrainës, ka thënë Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

“Presidenti (rus, Vladimir) Putin nuk është forca që ka qenë dikur. Ai është njeri që ka mbetur në kafazin që e ka ndërtuar vetë”, ka thënë ministri britanik për Sky News.

“Ushtria e tij është e lodhur, ai është përballur me shumë humbje. Reputacioni i kësaj ushtrie të madhe të Rusisë është shkatërruar”, ka thënë Wallace.

“Atij nuk do t’i duhet të jetojë vetëm me pasojat e asaj që është duke bërë në Ukrainë, mirëpo atij do t’i duhet të jetojë me pasojat e asaj që i ka bërë ushtrisë së tij”.

Wallace ka thënë se forcat ruse duket se janë duke u rigrupuar dhe duke përqendruar fokusin drejt jugut dhe lindjes së Ukrainës.

“E kemi parë këtë gjë më herët. Gjithmonë situata përkeqësohet. Më shumë sulme për civilët, zonat e civilëve”.