Rusia ka thënë se nuk do të ndërpresë ende eksportet e gazit në Europë në lidhje me përplasjen që ka shpërthyer për pagesën e këtij produkti në rubla, prej datës 1 prill.
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret të enjten ku thuhet se blerësit duhet të paguajnë në rubla përmes llogarive bankare ruse nga e premtja.
Kremlini tha se kjo nuk do të ndikojë në dërgesat të cilat tashmë ishin paguar, por me pagesa për dërgesat pas 1 prillit që duhet paguhen deri në mes të muajit.
Moska po kërkon të forcojë rublën e zhvlerësuar nga dara e sanksioneve ndërkombëtare.
“A do të thotë kjo se nëse nuk ka konfirmim në rubla, atëherë furnizimet me gaz do të ndërpriten nga 1 prilli? Jo, nuk është kjo që parashikon dekreti”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
BE tha se po fliste me kompanitë energjetike se si do ta paguanin gazin.
Ditte Juul Jorgensen, drejtoresha e përgjithshme e drejtorisë së energjisë së Komisionit Europian, postoi në Twitter se BE-ja “po punonte ngushtë me shtetet anëtare dhe operatorët për të vendosur një qasje të përbashkët mbi pagesat në monedhë për kontratat e gazit me Rusinë”.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj kompanive dhe individëve rusë. Ndryshe nga SHBA-ja dhe Kanadaja, BE-ja nuk ka vendosur ndalime për naftën ose gazin rus, pasi vendet anëtare të saj varen shumë nga eksportet ruse.
Rusia furnizon Bashkimin Europian me rreth një të tretën e importeve të saj të gazit dhe naftës, të cilat kryesisht paguhen në euro dhe dollarë.
BE-ja nuk ka zëvendësues të lehtë nëse furnizimet ndërpriten, por në të njëjtën kohë, Rusia po fiton 400 milionë euro në ditë nga shitja e gazit në bllok dhe ka shumë pak mundësi për të ridrejtuar këtë furnizim në tregje të tjera.
Shtetet anëtare të BE-së kanë qenë në gatishmëri për çdo ndërprerje të importeve të gazit rus, ndërsa tensionet për pushtimin e Ukrainës mes Rusisë dhe Perëndimit vazhdojnë.