Politika Do t’i vendosë drynin derës së PD për ambasadoren e SHBA? Çfarë...

Do t’i vendosë drynin derës së PD për ambasadoren e SHBA? Çfarë thotë Berisha për Yuri Kim

Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, dhe nëse Sali Berisha fiton zgjedhjet brenda partisë, a do të pranojë ta takojë ambasadoren amerikane Yuri Kim?

Ish-kryeministri, i ftuar në emisionin Zonë e Lirë, thotë se dyert e PD janë të hapur për të gjithë diplomatët, por thekson se ambasadorja Kim duhet t’u kërkojë falje demokratëve që “u përmendi barin”.

Arian Çani: Tani që u riktheve në seli, a do t’ia vësh drynin derës normale nëse troket ambasadorja amerikane Yuri Kim. Le të kujtojmë që para ca kohësh, Kim tha ‘ne nuk i japim dorën dhe as shkelim në zyrën e tij po u zgjodh në krye të PD’.

Sali Berisha: Për këtë çështje unë jam shprehur. Dera e PD është e hapur për të gjithë përfaqësuesit e vendeve mike për çdo diplomat. Zonja Kim duhet t’u kërkojë ndjesë demokratëve për barin që u serviri. Kjo është fyerja më e rëndë që u ka bërë dikush në 30 vite atyre.

Arian Çani: Tani që u riktheve në seli, a do t’ua bësh të qartë demokratëve se parrulla të hapet partia në fakt ishte vetëm për dyert e blinduara?

Sali Berisha: Absolutisht nuk ishte vetëm për dyert e blinduara, por ishte për një përpjekje të fuqishme gjatë muajve të ardhshëm që kjo parti të mund të afrojë, të mund të vendosë bashkëpunim me elitën më të mirë të re shqiptare brenda dhe jashtë vendit.