Papa Françesku deklaroi sot se nuk e përjashton mundësinë e një udhëtimi në Ukrainë. Ndërsa është në një vizitë në Maltë, një gazetar që udhëtonte me të e pyeti Papa Françeskun nëse po shqyrtonte mundësinë e një ftese për të vizituar kryeqytetin ukrainas, Kievin. “Po, është një çështje që po shqyrtohet”, u përgjigj Ati i Shenjtë.
Ndërsa për herë të parë kritikoi presidentin Vladimir Putin, për luftën e nisur në Ukrainë, edhe pse nuk e përmendi atë në emër, nuk e ka bërë kurrë që nga nisja e luftës, ndërsa tha:
“Nga lindja e Europës, nga vendi i lindjes së diellit, tani janë përhapur hijet e errëta të luftës. Ne kishim menduar se pushtimet e vendeve të tjera, luftimet e egra në rrugë dhe kërcënimet atomike ishin kujtime të zymta të një të shkuare të largët.
Megjithatë, era e akullt e luftës, që sjell vetëm vdekje, shkatërrim dhe urrejtje, ka përfshirë fuqishëm jetën e shumë njerëzve dhe ditët e të gjithëve.
Edhe një herë, disa të fuqishëm, fatkeqësisht të kapur nga pretendimet anakronike të interesave nacionaliste, po provokojnë dhe nxisin konflikte, ndërsa njerëzit e zakonshëm ndiejnë nevojën për të ndërtuar një të ardhme që do të jetë e përbashkët ose nuk do ekzistojë fare. Tani në errësirën e luftës që ka rënë mbi njerëzimin, të mos lejojmë që ëndrra e paqes të zbehet”, tha Papa gjatë vizitës në Maltë.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko kanë ftuar të dy Papa Françeskun të vizitojë vendin e shkatërruar nga lufta.