Sport E pabesueshme çfarë gafe bën Bayern: Rrezikon të humbasë ndeshjen në tavolinë

E pabesueshme çfarë gafe bën Bayern: Rrezikon të humbasë ndeshjen në tavolinë

Bayern Munchen arriti një fitore me goleadë ndaj Freiburg në transfertë. Por, suksesi bindës me rezultatin 4-1 mund të vihet në rrezik, pasi bavarezët luajtën për disa sekonda me 12 futbollistë në fushën e lojës.

Përgjatë 17 sekondave, Bayern ishte me një lojtar më tepër sesa kundërshtari, pasi në minutën e 85, Coman, i cili u zëvendësua me Sule, nuk doli nga fusha.

Arbitri e ndaloi ndeshjen sapo e vuri re se diçka nuk shkonte.

Trajneri i Bayern Munchen, Nagelsmann, tha pas ndeshjes se gjithçka erdhi pas një gabimi në tabelën elektronike të arbitrit të katërt: “Ishte një situatë e çuditshme. Tolisso kishte probleme me stomakun dhe shkoi me vrap në dhomat e zhveshjes. Coman nuk e dinte që duhet të dilte nga fusha dhe qëndroi 8 apo 9 sekonda. Nuk ishte ndonjë gjë që ndikoi në rezultat”.

Por, trajneri i Freiburg, Christian Streich, nuk e mendon fare kështu: “Ka një rregullore që Freiburg, Bayern dhe të gjitha ekipet e tjera i nënshtrohen. Ajo rregullore është e qartë për atë që ndodhi sot. Nuk kam çfarë them unë më shumë”.

Në fakt, rregullorja thotë se “nëse një lojtar i cili nuk ka të drejtë të luajë apo të përdoret në një ndeshje, luan në atë ndeshje, takimi konsiderohet i humbur 2-0 nga ekipi që e ka kryer shkeljen dhe i fituar 2-0 nga kundërshtari, përveçse në rastin kur arbitri e vazhdon ndeshjen pas përdorimit të lojtarit që nuk duhet të kishte luajtur”.

Jochen Saier, drejtori sportiv i Freiburg, tha për Sky: “Duhet të shoh gjithçka sërish, me qetësi. Nuk e di për sa kohë luajti Bayern me një lojtar më shumë, por nuk ishte një kohë e gjatë. Nuk më kishte rastisur ndonjëherë diçka e tillë. Arbitri e vlerësoi situatën për shumë minuta dhe më pas lejoi që të vijonte loja. Tani duhet të qetësohemi dhe të shohim nëse do të apelojmë apo jo”.