Aktualitet “Jam beqar, por bashkëjetoj dhe kam 3 fëmijë”/ Zbardhet dëshmia e Alqi...

“Jam beqar, por bashkëjetoj dhe kam 3 fëmijë”/ Zbardhet dëshmia e Alqi Bllakos në gjykatë

Teksa gjyqtarja Irena Gjoka e pyeste me dyer të mbyllura Alqi Bllakon për të dhënat personale, gjyqtarja e njohur i shtroi pyetje duke nisur nga martesa deri tek shkollimi. Gjendja civile, a je i martuar? Bëri apelin gjyqtarja.

“Me status jam beqar, por bashkëjetoj dhe kam tre fëmijë, ndaj dhe i lutem gjykatës ta zbusë masën e sigurisë dhe nga arrest me burg të shpallur në mungesë të vendosë arrest shtëpiak”, – deklaroi menjëherë ish deputeti socialist.

Në përpjekje për tu shfaqur i qetë, ish sekretari deklaroi më tej se kishte përfunduar arsimin e lartë dhe se asnjëherë nuk kishte pasur probleme me ligjin.

Duke shtuar vit lindjen, atësinë dhe vendlindjen ish sekretari i përgjithshëm që përfundoi në paraburgim ashtu si edhe ish- eprori Lefter Koka gjatë seancës me dyer të mbyllura më tej ja la fjalën avokatit të tij.

Por përpara se të përfaqësohej nga mbrojtja, Alqi Bllako kujtoi se është i parrezikshëm dhe se nuk ka ndërmend të largohet mbasi për të nuk ekziston rreziku i arratisjes. Megjithatë as avokati, as prokuroria dhe as i dyshuari për shpërdorim dhe korrupsion nuk e prekën fare temën se ku ishte Alqi Bllako gjatë tetë orëve që policia e kërkonte. Prokurori i SPAK përpos rrethanave të veprës sipas burimeve të sigurta të gazetës “Si” depozitoi edhe procesverbalin e ekzekutimit të masës së sigurisë në të cilën nuk përmendet fare nëse Alqi Bllako është vetdorëzuar, apo është arrestuar.

Në këtë shkresë prokurorët shkruajnë shkurtimisht orën dhe datën duke zbardhur data 1 prill si momentin kur u ekzekutua masa e sigurisë arrest me burg e vendosur në mungesë nga gjyqtarja e posaçme Gjoka.

Për avokatin burimet që ishin të pranishme në seancën për të cilën media kishte interes të lartë, por që sipas ligjit këto seanca mbahen me dyer të mbyllura, Bllako është i pafajshëm. “Klienti im s’ka kryer asnjë veprim, nuk ka hedhur asnjë firmë ndaj kërkojmë lirimin e tij”, tha mes të tjerash avokati mbrojtës.

Një kërkesë që nuk u pranua nga gjykatësja antikorrupsion, e cila mbasi i dëgjoi të gjithë, deklaroi se gjatë verifikimit të kushteve Alqi Bllako do të qëndrojë nën arrest me burg, si edhe Lefter Koka për të cilin gjykata ka vendosur dy masa sigurie, njëra për inceneratorin e Elbasanit dhe tjetra për inceneratorin e Fierit. Afera e fundit ka në kërkim edhe ish biznesmenin Klodian Zoto adresa e të cilit është e vështirë për policinë për tu zbuluar. /Gazeta Si