Bota Njësia nga Siberia, “kasapët” që akuzohen për masakrën që tronditi botën

Njësia nga Siberia, “kasapët” që akuzohen për masakrën që tronditi botën

Trupat e braktisur përgjatë rrugës, para shtëpive, varr masiv 13 metra i gjatë i gërmuar në kopshtin e kishës së Bucha-s.

Sipas pamjeve, dyshohet se janë varrosur qindra civilë: për ukrainasit, shumë u vranë në rrugë, disa u vranë mbi biçikletë, të tjerët u vranë me duar të lidhura pas shpine, disa të tjerë u rrëmbyen nga beteja.

Sipas aktivistëve që kanë shqyrtuar të dhënat dhe imazhet e disponueshme, përgjegjësit për masakrën e Bucha-s, janë nënkoloneli rus, Omurekov Azatbek Asanbekovich dhe njësia e tij 51460, Brigada e 64-të e Artilerisë së Motorizuar që mbërriti në Ukrainë nga fshati Knyaze-Volkonskoye, në territorin e Khabarovsk, si dhe nga Kina dhe Koreja e Veriut.

Ndoshta në dekadat e ardhme, qyteza e Bucha-s, rreth 15 minuta nga kryeqyteti ukrainas Kiev, do të kujtohet ende në memorien e opinionit ndërkombëtar. Në këtë qytezë anonime, që shërben më së shumti si “hotel” për punëtorë të shumtë që punojnë në Kiev dhe nuk përballojnë dot qiratë e kryeqytetit, ditët e fundit të marsit është kryer ajo që po merr dimensioni e një prej krimeve më brutale nga Lufta e Dytë Botërore në territorin europian.

Si në Srebrenicë, si në Reçak, si në teatrin Bataclan, Bucha do të jetë një nga emrat që do të mbetet si simbol i tragjedisë së luftës dhe i zhvlerësimit të njeriut në ketë lloj situate.

Varre masive me qindra civilë, përballë kishës ku ata zakonisht luteshin, kufoma në çdo cep, në çdo rrugicë, shpesh herë me duart e lidhura dhe një plumb pas shpine, pasojë e një ekzekutimi me gjak të ftohtë.

“Një skenë filmi horror”, dëshmojnë gazetarët e parë që u dërguan në Kucha, pas tërheqjes së trupave ruse. Por kush janë autorët e kësaj masakre, që po shtyn vendet perëndimor edhe SHBA të cilësojnë Vladimir Putin si kriminel lufte?

Sipas disa grupeve aktivistësh në terren, të bazuar a në dëshmitë e të mbijetuarve por edhe në pamjet satelitore, me shumë gjasa lideri i “kasapëve” mund të jetë koloneli Omurekov Azatbek Asanbekovich, që drejton njësinë 51460, pjesë e brigadës së 64-t të artilerisë së motorizuar.

Një njësi që vjen nga larg, nga skajet më të largëta ruse, në atë Siberinë aziatike ku panorama është po e njëjtë dhe asgjë nuk ndodh dhe do të ndodhë ndonjëherë.

Njësia 51460 vinte nga fshati Knyaze-Volkonskoye, në territorin e Çabarovskit, sipër Koresë së Veriut.

Dhe pamjet e para që qarkullojnë në rrjet të kësaj njësie, tregon pikërisht të rinj me karakteristikat fizike të atyre zonave, teksa valëvisin flamurin e republikës ruse të Sahasë (ose Jakutia), një territor i stërmadh që kronikat ndërkombëtare njohin më së shumti për të ftohtin e madh dhe për fildishin e mamutëve prehistorikë që zbulohet herë pas here nga shkrirja e permafrostit.

Nëse në të kaluarën ishte e vështirë të rindërtoheshin përgjegjësitë dhe dinamika e një krimi lufte, në këtë konflikt, “mjegulla” që normalisht mbulon luftimet, është pastruar: gjithçka është publike, e dukshme përmes imazheve satelitore, rrjeteve sociale, të dhëna me burime të hapura dhe zbulim të inteligjencës.

Megjithatë, ky informacion mund të jetë jo i vërtetë dhe duhet të merret me kujdes, i verifikuar: roli i Omurbekov dhe njerëzve të tij që erdhën nga Lindja e Largët për të luftuar në Ukrainë, duhet të konfirmohet, por është e habitshme, se si mjaftuan disa orë për të gjurmuar njësinë ushtarake ruse që vepronte në Bucha para tërheqjes së 30 marsit.

Emrat e tyre po shpërndahen në rrjet nga aktivistët, dhe nuk do të kalojë shumë kohë para se ata të përballen me akuzën e krimeve të luftës.