Avokati i ish-deputetit Alqi Bllako e shpjegon vonesën prej 12 orësh në dorëzimin e klientit të tij në polici “për shkaqe procedurale”. Në një intervistë në Euronews Albania, avokati Sokol Hazizaj tha se “vendimi i gjykatës shoqërohet me disa veprime procedurale që duan kohën e tyre”.
Avokati nuk e mohoi përpjekjen e SPAK që ta kthejë Bllakon në bashkëpunëtor të drejtësisë.
“Kjo – tha avokati – “është një procedurë standarde e drejtësisë”, por në rastin e ish-deputetit vjen edhe për shkak se “vullneti i Bllakos është i qartë për të marrë pafajësinë”.
Avokati i ish-deputetit të PS foli për paqartësi në kërkesën e SPAK dhe gjykatës për arrestimin e Bllakos. Sipas tij, akuza është për korrupsion dhe shpërdorim detyre si funksionar i lartë shteti, në një kohë kur nuk ka pasur pozitë të tillë, është pa kuptim.
“Alqi Bllako nuk ka qenë funksionar i lartë publik në momentin që ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Në ligjin e Nëpunësit Civil dhe ligjin për rregullimin e pagave, Sekretari i Përgjithshëm nuk përbën një funksionar të lartë publik”, – tha Hazizaj.
Sipas tij, Bllako në detyrën pranë Ministrisë së Mjedisit ka kryer akte në përputhje me ligjin e nëpunësit civil.
“Aktet e Alqi Bllakos janë vetëm vijë përcjellëse e Ministrisë së Mjedisit”, – tha avokati.
Për punësimin e babait të Bllakos, në një kompani për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, Hazizaj tha se ka ndodhur para se Bllako të ishte Sekretar i Përgjithshëm. Alqi Bllako u arrestua në orën 03:30 të datë 1 prill për korrupsion dhe shpërdorim detyre në aferën e inceneratorit të Fierit. SPAK akuzon se ish-deputeti ka kryer falsifikim në rastin e shpronësimit të tokës ku u ndërtua inceneratori.