Në disa zona të Kinës, Covid-19 është rikthyer pothuajse në nivelet e fillimit të pandemisë. Shangai hyri në karantinë sërish më 28 mars, për shkak të rritjes së infeksioneve. Një udhëzim i dytë i autoriteteve shëndetësore kufizoi daljet nga shtëpia të banorëve të Shangait, pasi u raportuan 8 581 raste të reja asimptomatike dhe 425 të tjerë me simptoma.
Kjo i ka detyruar autoritetet qendrore të dërgojnë në Shangai ushtrinë dhe mijëra punonjës të kujdesit shëndetësor për të ndihmuar në kryerjen e testeve COVID-19 për të gjithë 26 milionë banorë, raporton Reuters, duke iu referuar mediave vendase.
Kjo masë është përgjigjja më e madh e shëndetit publik që prej shpërthimit fillestar në Vuhan në fund të vitit 2019.
Shumicës së banorëve po u bëhen testet në shtëpitë e tyre.
Ushtria Çlirimtare Popullore dërgoi të dielën më shumë se 2 000 punonjës të kujdesit shëndetësor nga e gjithë ushtria, marina dhe forcat e përbashkëta të mbështetjes logjistike në Shangai.
Deri më tani 38 000 punonjës të kujdesit shëndetësor nga provincat si Jiangsu, Zhejiang dhe kryeqyteti Pekin janë dërguar në Shangai.