Edhe pse në Spanjë janë të bindur për firmën me Realin e Madridit, në Francë besojnë te rinovimi i Kylian Mbappe me Paris Saint-Germain. Deklarata e francezit pas sfidës së shkëlqyer ndaj Lorient ka rritur shanset që ai të qëndrojë në “kryeqytetin e dashurisë”. Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe mediat franceze, që shtojnë se 23-vjeçari ka rënë dakord për të zgjatur martesën me PSG-në dhe firma do të hidhet në kontratë muajin e ardhshëm.
Do të jetë pikërisht Mbappe ai që do të thotë fjalën e fundit, megjithatë gjasat për të qëndruar sa vijnë e bëhen më të mëdha. Duke parë edhe kërkesat e larta financiare, diçka që aktualisht klubi nuk i plotëson, mediat franceze raportojnë se PSG i ka ofruar sulmuesit shiritin e kapitenit për të qëndruar.
Dilemat janë të mëdha në këtë pikë të sezonit. Tabloidi gjerman “Bild” pranoi në fillimin e këtij viti se Mbappe ka firmosur një parakontratë prej 50 milionë eurosh në sezon me Realin e Madridit. Spanjollët janë edhe klubi më i interesuar për shërbimet e tij, teksa në garë janë edhe skuadra si Barcelona dhe Manchester City.