Bota “Kanë vrarë gra dhe fëmijë, pasi i torturuan më parë”, Zelenksy tregon...

“Kanë vrarë gra dhe fëmijë, pasi i torturuan më parë”, Zelenksy tregon krimet ruse në OKB

Volodymyr Zelensky duke folur në OKB

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregoi krimet e ushtrisë ruse në Ukrainë.

“Trupat ruse vranë këdo që i ka shërbyer vendit tonë. Kanë vrarë gra që dilnin në rrugë për të gjetur ata që kishin mbetur gjallë. Kanë vrarë familje të tëra, të mëdhenj e të vegjël, dhe janë përpjekur që të djegin trupat. Janë vrarë me plumb pas koke, pasi janë torturuar më parë”, tha Zelensky.

Gjatë fjalës së tij, Zelensky ka folur dhe për ditën e djeshme kur shkoi në qytetin Bucha, ku civilët u vranë dhe pamjet e trupave të tyre të shpërndarë nëpër rrugë drithëruan mbarë botën.

“Dje u ktheva nga qyteti ynë Bucha, i çliruar së fundmi nga trupat ruse jo shumë larg Kievit. Pra, nuk ka asnjë krim të vetëm që ata nuk do ta kryenin. Ushtria ruse kërkoi dhe vrau me qëllim këdo që i shërbente vendit tonë. Ata vranë familje të tëra, të rritur dhe fëmijë. Dhe ata u përpoqën të digjnin trupat”, është shprehur Zelensky.

Ai shtoi se trupat ruse i kanë vrarë qytetarët në Bucha “thjesht për qejf”.

“I kanë prerë gjymtyrët, i kanë prerë fytin, ndërsa gratë i kanë përdhunuar dhe vrarë në sy të fëmijëve. Këto janë veprime terroristësh”, theksoi Zelensky.