I dashur Ronaldo, sa po më kushton! Nuk bëhet fjalë për operacione të merkatos, por për tentativa, që deri tani kanë dështuar, për ta parë kampionin portugez në fushë.
Protagonisti i kësaj historie është Chris Broome, 43 vjeç, që prej vitesh ndjek sulmuesin e Manchester United nëpër botë bashkë me të birin. Dhe gjithçka për asgjë, të paktën deri tani.
Burri në fjalë, banues në Yatton, Somerset, në jug të Anglisë, ka provuar gjithçka për të realizuar dëshirën e djalit, tifoz i madh i CR7, i cili nuk ka arritur akoma ta shijojë një “Siuu” në stadium.
Siç ka bërë të ditur The Sun, Chris ka paguar 1.500 euro në 2020-ën për të fluturuar në Torino dhe për të parë Ronaldo-n tek Juventus-i, por ylli portugez e ka bërë pushim në atë rast.
Babai i tifozit të CR7 ka provuar përsëri në mars duke shpenzuar 1.500 euro të tjera mes udhëtimit dhe hotelit për të ndjekur derbin e Manchester-it, por Ronaldo ka munguar për shkak dëmtimi.
Tentativa e fundit pa fat ka qenë të shtunë e kaluar, me CR7 që ka qenë përsëri jashtë kundër Leicester-it për shkak të gripit.
“I kam premtuar Zac se do ta çoj të shikojë Ronaldo-n të luajë, kështu që do ta gjej një mënyrë që kjo gjë të ndodhë”, ka thënë Chris. “Por kjo gjë po më kushton një djall e gjysmë”.