Kryesore Rama: “Ballkani i Hapur” nuk mbron interesat e Serbisë, por interesat e...

Rama: “Ballkani i Hapur” nuk mbron interesat e Serbisë, por interesat e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama është shprehur këtë të enjte se “Ballkani i Hapur” mbron interesat e Shqipërisë. Përgjigja në lidhje me këtë çështje e kreut të qeverisë erdhi pas publikimit të rezultatit të Këshillimit Kombëtar për “Open Balkan”, ku 59% e qytetarëve ishin shprehur pozitivisht.

“59% është mbështetje shumë e fortë, pavarësisht se për të tjerat ka mbështetje edhe më të forta. Së dyti mos harroni që procesi ka ndodhur në atë interferencë që thashë dhe lufta që nisi Rusia ndaj Ukrainës ka pasur një impakt psikologjik edhe për shkak se u bë një zhurmë e madhe në drejtimin që edhe ju drejtuar pyetjen tuaj në lidhje me korrelacionin mes luftës dhe pozicionit të Serbisë. Unë nuk kam pritur luftën për të marrë vesh që çfarë është politika e jashtme e Serbisë, cilat janë marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe kështu me radhë. E dyta, nuk ka qenë vendimmarrja as e imja as e kësaj qeverie që në Ballkan të gjendet edhe Serbia. Serbia është aty, është një fqinje duam apo s’duam ne. Dhe është një fqinje që do të jetë aty gjithmonë, siç do të jemi dhe ne këtu gjithmonë, kështu që nuk do të ikë diku tjetër. Kështu që marra parasysh këto dy gjëra, marrëdhëniet e  fqinjësisë me Serbinë janë të rëndësishme edhe për faktin e ndryshimit mes nesh dhe tyre në këtë aspekt që ju bëtë pyetjen. Nga ana tjetër Shqipëria Ballkanin e Hapur nuk e bën për Serbinë, por për veten e vet. “Ballkani i Hapur” nuk mbron interesat e Serbisë, por interesat tona. Natyrisht Serbia mbron interesat e veta dhe gjithkush të tijat, nuk diskutohet. Ballkani i Hapur është një nismë interesash konverguese dhe jo diverguese. Çdo konvergjencë që realizojmë në marrëdhëniet e fqinjësisë i shpërbejnë paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik e social”, u shpreh Rama.