Aktualitet Mbi 3 mijë persona u përgjuan nga prokuroria në 2021 (pa llogaritur...

Mbi 3 mijë persona u përgjuan nga prokuroria në 2021 (pa llogaritur përgjimet e SPAK)

Përgjimi telefonik dhe ai ambiental është një nga mjetet më të shpeshta të prokurorive në kërkim të provës, për zbardhjen  e ngjarjeve. Përgjatë vitit 2021, sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, janë vënë në përgjim 3412 persona në të gjithë vendin.

Përgjimet kanë sjell arrestimin e 640 shtetasve në flagrancë. Nën vëzhgimin e autoriteteve kanë rezultuar të jenë më shumë personat e dyshuar për kultivimin, shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Në funksion të goditjes së trafikut të emigrantëve të Lindjes, prokuroritë e rretheve rezultojnë të kenë përdorur përgjimin për kapjen në flagrancë dhe zbardhjen e skemës.

Vrasjet, plagosjet dhe krimet e tjera ndaj personit janë në vendin e tretë për të cilat kërkohen përgjime nga grupi hetimor.

Jashtë lupës së prokurorive nuk kanë mbetur edhe zyrtarët, të cilët nën dyshimin e shkeljes së detyrës dhe korrupsionit janë vënë në përgjim. Vlen të thuhet se këto janë përgjime të kryera nga prokuroritë e rretheve pa llogaritur ato që bën SPAK për hetimet e tij, raporton Tv Klan.