Aktualitet Nis tërheqja e disa çokollatave “Kinder” nga tregu shqiptar

Nis tërheqja e disa çokollatave “Kinder” nga tregu shqiptar

Kompania importuese e çokollatave “Kinder” ka nisur tërheqjen nga tregu shqiptar të disa produkteve pas raportimeve nga autoritetet ndërkombëtare për prani të salmonelës në to.

“Megjithëse asnjë nga produktet tona Kinder të hedhura në treg nuk ka rezultuar pozitiv për salmonelën dhe nuk kemi marrë asnjë ankesë nga konsumatorët, ne po e marrim këtë çështje me seriozitet të jashtëzakonshëm, pasi kujdesi ndaj konsumatorit është prioriteti ynë kryesor. Si masë paraprake, ne kemi marrë vendimin për të tërhequr vullnetarisht nga tregu në Shqipëri Kinder Schoko-bons dhe Kinder Surprise Maxi të prodhuara në Belgjikë”, njoftoi kompania “Ferrero”.

Të gjitha produktet e tjera Ferrero, përfshirë produktet e tjera Kinder nuk preken nga kjo tërheqje.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përmes një njoftimi për mediat tha se në vendin tonë nuk rezulton të jetë kryer import i çokollatave ‘Kinder’ të zbuluara si të helmuara me salmonelë.

Por, AKU kërkoi nga konsumatorët të shmangin blerjen dhe nëse kanë blerë, të mos konsumojnë produktet e mëposhtme ‘Kinder’:

KINDER SCHOKOBONS 46 g- me datë skadence 31.5.2022; 29.6.2022,

KINDER SCHOKOBONS 125 g – me datë skadence 7.7.2022; 5.7.2022,

KINDER SORPRESA MAXI 100 g – me datë skadence 23.8.2022.