Bota Pse Presidenti francez është më i fuqishmi në Europë?

Pse Presidenti francez është më i fuqishmi në Europë?

Francezët do të votojnë të dielën për Presidentin e ri të tyre dhe në garë për një mandat të dytë është edhe Presidenti aktual, Emmanuel Macron.

Mes mesazheve të fundit që po përçon ai në këtë fushatë, është edhe ideja se Francës i nevojitet një President i fortë në këto kohë krizash, pasi një person normal do ta destabilizonte atë.

Termi që përdori Macron për të përshkruar idenë e tij ishte “jupiterian”, duke iu referuar “mbretit të të gjithë zotave”, sipas mitologjisë romake. Mund të duket hipokrizi e thënë në një vend që shekuj më parë flaku tutje monarkinë.

Por, në 50 vitet e fundit, Kushtetuta franceze ka evoluuar dhe evoluimi ka qenë gjithmonë në drejtimin e konsolidimit dhe rritjes së pushtetit të Presidentit.

“Kemi një President që është në krye të republikës, që kontrollon qeverinë, kontrollon parlamentin, kontrollon Gjykatën Kushtetuese. Të gjitha këto e bëjnë një super-president, ashtu si Jupiteri, siç ne e quajmë Macron”, thotë për Euronews, Christophe Chabrot, lektor i së drejtës publike në Universitetin Lumiere të Lionit.

“Mund të krahasohet me fuqitë e mbretërve në fillim të shekullit të 19-të, kur shumë monarki filluan të humbasin pushtet përballë kryeministrave, por sërish kishin mjaftueshëm pushtet për të diktuar politikat në vendet e tyre”, ilustron ai.

Kritikët thonë se parlamenti francez po shndërrohet në një noter, që miraton çdo vendim të Presidentit dhe disa politikanë po kërkojnë ndryshim të Kushtetutës për të balancuar pushtetet.

“Presidenti i Francës, sipas ligjit, ka më shumë pushtet se çdo udhëheqës tjetër në Europë”, thotë Delphine Dulong, profesore e shkencave politike në Universitetin e Parisit.