Aktualitet Meta do të krijojë “komitet transparence për aferën e inceneratorëve”

Meta do të krijojë “komitet transparence për aferën e inceneratorëve”

Presidenti Ilir Meta ka lajmëruar se do të krijojë një komitet të përbërë nga ekspertë për të bërë transparencë për aferën e inceneratorëve.

“Nuk ka bërë asgjë më shumë mafia në Sicili se sa këtu. Të jeni të sigurt se nuk janë përfituesit e vërtetë as Zoto, as Stela por ata janë instrumente”.

Deklaratën kreu i shtetit e bërë në një konferencë për mediat, ku tha se në krye të aferës qëndron kryeministri, Edi Rama.

“Pres reagim pasi as 1/10 e atyre që kanë shkelur ligjin nuk janë përpara drejtësisë. Ndërkohë afera vazhdon”, tha Meta.

Presidenti u bëri thirrje personave në hetim për inceneratorët që të bashkëpunojnë me drejtësinë për të treguar se kush i ka urdhëruar që të shkelin ligjin.

Për kreu e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, Meta tha se janë 36 milionë dollarë nga taksat e qytetarëve të Tiranës që ia ka dhënë në mënyrë të paligjshme inceneratorit të Tiranës.

“Faktet janë aq flagrante sa ato tronditin çdo njeri. Ia kam tregua ish-presidentit të Kroacisë dhe vuri duart në kokë se si mund të ndodhin gjëra të tilla”, tha ai.

Vetëm nga fshehja e TVSH-së dhe evazioni fiskal ka mbi 30 milionë dollarë dëm ndaj shtetit, shtoi presidenti.

Presidenti Meta gjatë dy viteve të fundit ka bërë denoncime të shumta për aferën e inceneratorëve.

Nisma për ngritjen e një komiteti për të bërë transparencë për këtë çështjen, vjen në prag të përfundimit të mandatit të tij si Presidenti, që mbyllet më 24 korrik.

Meta denoncoi edhe ato që quan sulme nga mazhoranca ndaj figurës së tij. “Sot u shpik një fajtor për dështimet e Qeverisë. Nuk është Presidenti fajtor pse ne Ukrainën qe është në luftë nuk rriten çmimet, ndërsa në Shqipëri po. Pse këtu nuk rriten pagat dhe pensionet nuk është Presidenti fajtor. Për kriminalizimin e pashembullt të Qeverise nuk është Presidenti fajtor”.