Policia e Vlorës ka njoftuar se ka vënë në pranga një prej të kërkuarve në kuadër të operacionit “FIVE”. I arrestuari është 35-vjeçari me iniciale A.(K). T.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë së SPAK i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Finalizimi i operacionit “FIVE” është njoftuar nga policia më 10 Mars. Aksioni u zhvillua në bashkëpunim mes disa agjenci të zbatimit të ligjit në vend dhe u drejtua nga SPAK. Gjithsej u goditën 5 grupe të strukturuara kriminale të sinkronizuar me njëri-tjetrin, që ushtronin veprimtari në fushën e narkotikëve.
Operacioni u shtri në disa qytete të ndryshme Tiranë, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Elbasan dhe Kukës.
SPAK kishte arritur që gjatë hetimit 3-vjeçar të evidentonte 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, Prrenjas, gjatë periudhës Mars 2019-Nëntor 2020.