Sport Guardiola-Klopp nuk prishin bilancin, por barazimi ndihmon City-n

Guardiola-Klopp nuk prishin bilancin, por barazimi ndihmon City-n

Në super-sfidën e kreut mes Manchester City dhe Liverpool fiton sporti: arbitrim fluid, ritme të larta, nivel i lartë teknik.

Finalja e parakohshme e kampionatit anglez u ngjit menjëherë në nivelin e pritshmërive, duke prodhuar plot 4 gola, raste të panumërta dhe ritëm të jashtëzakonshëm.

“Citizens” ishin më agresivë në fillim të ndeshjes dhe gjetën të parët avantazhin, teksa me pak fat mund të kishin shënuar edhe golin e dytë, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1 për vendasit.

45-minutëshi i dytë nisi vrullshëm për Liverpoolin, që barazoi për vetëm 46 sekonda me Sadio Mane dhe “flirtoi” në 3-4 raste me golin e avantazhit, ndërsa “citizens” u zgjuan pas minutës së 60’, por vetëm për ta bërë më interesante ndeshjen.

Vërshëllima finale e arbitrit Anthony Taylor la në fuqi barazimin 2-2, që jo vetëm nuk ndryshon asgjë në renditje, por as në bilancin e përballjeve Guardiola-Klopp, me dy trajnerët që kanë fituar nga 9 ndeshje secili dhe kanë barazuar 5 tashmë, në 23 sfidat direkte me njëri-tjetrin.

Por barazimi i lejon Guardiolës të mbajë distancën +1 nga Klopp, që tani duhet të shpresojë për një hap fals të City-t për të tentuar parakalimin.