Forcat ukrainase po pastrojnë shkatërrimet e lëna pas nga trupat ruse, ndërsa vijojnë të zbulohen varre masive me civilë të vrarë. Rusia nga ana tjetër po grumbullon të gjitha trupat për një përballje të pritshme në Ukrainën lindore. Ekspertët thonë se një ofensivë e plotë ruse mund të fillojë brenda disa ditësh dhe kjo do të jetë një periudhë vendimtare për luftën. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për aftësinë e forcave ruse, për të cilat zbulimi perëndimor thotë se janë të demoralizuara.
Gjenerali amerikan në pension dhe ish-drejtori i CIA-s, Daivd Petraeus, thotë se Ukraina duhet të përgatitet për “një luftë të madhe” në Donbas, teksa forcat ruse po planifikojnë mësymje totale në krahinën lindore të vendit.
Pamjet satelitore të datës 8 prill, të publikuara nga “Maxar Technologies”, tregojnë një karvan mbi 10 kilometra të gjatë me mjete të rënda ushtarake që po lëviz në drejtim të qytezës Velkyi Burluk, në lindje të Kharkivit, pranë kufirit me Rusinë. Sipas Patraeus, këto trupa do të zbresin më në jug, drejt krahinës së Donbasit, një pjesë e të cilës kontrollohet nga separatistët që kanë shpallur edhe Republikat Popullore të Luhanskut dhe Donetskut.
“Do të bëhet luftë e madhe aty. Rusët erdhën nga veriu dhe u përpoqën të merrnin Kievin, por nuk ia dolën dhe tashmë janë tërhequr. Ukraina e fitoi këtë betejë. Edhe në jug, synimi i tyre kryesor ishte Odesa dhe deri tani nuk ia kanë dalë. Ukrainasit i frenuan në Mykolaiv dhe duket se po fitojnë terren”, tha Petraeus për CNN.
Tani, përqendrimi i forcave është në Donbas. Po zhvillohet ende një betejë në Mariupol, ku rusët po hasin në rezistencën e vendasve. Por pasi të kenë mbaruar punë aty, forcat jugore, dhe ato të spostuara në verilindje, pranë Kharkivit, do të zbresin drejt Donbasit. Ata duan praktikisht të rrethojnë forcat ukrainase që luftojnë në front në Donbas”.
Petraeus komentoi edhe emërimin e Alexander Dvornikov, komandant i Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë, i cili është tashmë drejtues i fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë. “Ai njihet si kasapi i Sirisë, për shkak të sulmeve të tmerrshme që kreu ushtria ruse kundër rebelëve në Siri”, tha Patraeus.
Vlerësimet perëndimore shfaqin besim në rritje në aftësinë mbrojtëse të Ukrainës për të zmbrapsur sulmet e Rusisë, duke i portretizuar trupat ruse me moral të ulët dhe me viktima në rritje.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha të dielën se ushtria ruse po përpiqet të mbulojë humbjet në rritje duke shtruar numrin e trupave me personel që është liruar nga shërbimi ushtarak që nga viti 2012.
Agjencia e OKB-së për refugjatët raportoi të dielën se më shumë se 4.5 milionë njerëz janë larguar nga vendi që kur nisi lufta.