Për shkak të thatësirës që vijon prej 13 vitesh, Kili është detyruar të marrë një masë të paprecedent. Kryeqyteti Santiago, me një popullsi prej rreth 6 milionë banorë, do të racionojë ujin, raporton The Guardian.
“Jemi në një situatë të paprecedentë në historinë 491-vjeçare të Santiagos. Na duhet të përgatitemi për ujin e pamjaftueshëm për të gjithë ata që jetojnë këtu”, tha Claudio Orrego, guvernatori i rajonit metropolitan Santiago.
Pjesë e planit të racionimit është një sistem alarmi me katër nivele që shkon nga jeshilja në të kuqe dhe fillon me njoftimet e shërbimit publik, kalon në kufizimin e presionit të ujit dhe përfundon me ndërprerje të ujit me radhë deri në 24 orë për rreth 1.7 milionë klientë.
Sistemi i alarmit bazohet në kapacitetin e lumenjve Maipo dhe Mapocho, të cilët furnizojnë kryeqytetin me pjesën më të madhe të ujit.
Qeveria vlerëson se sasia e ujit të disponueshëm ka rënë me 10-37% gjatë 30 viteve të fundit dhe mund të bjerë edhe 50% në Kilin verior dhe qendror deri në vitin 2060.
Deficiti i ujit në lumenj, i matur në litra në sekondë, do të përcaktojë nëse shkurtimet do të bëhen çdo 12, gjashtë apo katër ditë. Në secilin rast, një zonë e ndryshme do të përballet me ndërprerje të ujit çdo ditë.
“Kjo është hera e parë në histori që Santiago ka një plan racionimi të ujit për shkak të ashpërsisë së ndryshimeve klimatike,” tha Orrego. “Është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se ndryshimi i klimës do të bëhet pjesë e jetës tonë. Nuk është vetëm globale, është lokale.”
Zonat që furnizohen nga puset apo burime të tjera përveç dy lumenjve do të përjashtohen nga ndërprerjet.