A po bën Annalena Baerbock një punë të mirë si ministre e Jashtme gjermane? Kjo është një pyetje që është ngritur vazhdimisht në publikun gjerman që kur politikania 41-vjeçare e të Gjelbërve erdhi në detyrë pas zgjedhjeve të tetorit 2021.
Në fillim u kritikua se i prishi në fillim shanset e mira të të Gjelbërve dhe u tha se ishte shumë e re dhe pa përvojë për këtë funksion të rëndësishëm. Mendohej se lojtarët e rëndësishëm botërorë, si Putin apo Erdogan, nuk do ta merrnin fare seriozisht.
Por tani është ndryshe. Sinjalin e parë e dha pikërisht në Moskë, me Lavrovin.
Këto ditë është bërë e njohur një anekdotë nga takimi mes Baerbock dhe homologut të saj rus në janar, pikërisht në Moskë.
“Kam lindur dy fëmijë”
Siç tha vetë ministrja në një intervistë për revistën Spiegel, Lavrov e ftoi delegacionin gjerman për drekë atje pas një bisede zyrtare. Pasi nxirrnin meze, u servir vodka sipas traditës së mirë ruse. Sipas saj, ministrja gjermane, e cila në atë kohë ishte në detyrë vetëm për 42 ditë, nuk e preku pijen e ofruar.
Pastaj Lavrov i tha asaj se duhej të pinte vodka, kështu ishte zakon. Baerbock iu përgjigj se kishte qenë në Rusi disa vite më parë dhe njerëzit i thoshin se duhej të forcohej dhe të pinte më shumë, përndryshe nuk do të bëhej kurrë një politikane e lartë. Por ajo arriti në majë pa alkool, gjë që ia tha Lavrovit, duke shtuar: “Nëse pirja e vodkës në mesditë është një provë e qëndrueshmërisë dhe forcës… E dini, unë linda dy fëmijë.”
Për Lavrovin dhe burrat e tjerë të pranishëm, pirja e vodkës ishte padyshim një lloj provimi pranues në botën e burrave, në të cilin ajo, gruaja e re në skenë, duhet të provojë veten. Por ajo prezantoi një standard tjetër, atë që burrat nuk mund ta ndjekin: lindja e fëmijëve. Ky ishte truku i saj. Ajo mori drejtimin e lojës, shkruan Deutsche Welle.
Rusia, ndërkohë, ka pushtuar Ukrainën, por Lavrov nuk ka më asnjë iluzion për Baerbock: ajo është bërë një mbështetëse e ashpër e vendosjes së sanksioneve edhe më të ashpra të BE-së kundër Rusisë, si dhe armatimit edhe më të gjerë për ushtrinë ukrainase. Ndërkohë Moska e akuzon atë për përdorimin e “propagandës së urrejtjes” ndaj saj. Kohët e thumbimeve të vogla kanë ikur.