Mesditën e sotme ka pasur replika në Kuvend mes Ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe deputetit të PD-së Agron Shehaj.
Deputeti deklaroi se familjarët e Olta Xhaçkës kanë marrë statusin e investitorit strategjik, falë lidhjeve të saj me qeverinë.
“Ministres i bën përshtypje që abuzon me pushtetin që i kanë dhënë qytetarët dhe habitet sesi opozita ngre zërin. Statusi i investitorit strategjik i është dhënë familjarëve të ministres Xhaçka nga vetë kryeministri Rama dhe kolegët e saj në qeveri në shkelje të ligjit mbi konfliktin e interesit dhe të vetë ligjit mbi statusin e investitorit strategjik. Kjo është një aferë e pastër korruptive”, tha Shehaj.
Në kundërpërgjigjen e saj, ministrja deklaroi se gjithçka është mashtrim.
“Ju mëshiroj se nuk jeni opozitari që përfaqësoni interesat e qytetarëve shqiptarë. Ju ka humbur teksti prej kohësh në politikë dhe patjetër kapeni pas kauzave që nuk pinë ujë fare. O janë gënjeshtra o janë mashtrime. Është fatkeqësi e madhe që opozita të përfaqësohet nga njerëz si ti, nga njerëz që pretendojnë që përfaqësojnë ca interesa por nuk dinë ta bëjnë. Nuk kuptojnë, nuk kanë nivel”, tha ajo.
Ministrja nënvizoi se familjarët e saj kanë që në vitin 1991 që merren me biznes.
“Të vish të flasësh me slogane bajate për të nxitur urrejtje ndaj njerëzve, familjarëve të politikaneve, familjarëve të Ministres së Jashtme që kanë në vitin 1991 që merren me biznes. Zotëri nuk u pasurova unë, por vazhdojnë të punojnë familjarët e mi me punën e tyre, me djersën e tyre si çdo biznesmen tjetër në këtë vend. Ulu lexo dhe studio”, përfundoi ministrja.