Takim me njeriun Zelenskyt në Donbasin ukrainas: “Kur ishte momenti i zgjidhjes pati një përçarje. E papritur, por e thellë, e dhimbshme, e pakthyeshme”
Guvernatori i provincës Donetsk, Pavlo Kirilenko, ka profilin e tradhtarit të përsosur. Babai, nëna dhe vëllai i tij jetojnë në zonën filo-ruse. Vëllai i tij Evjeny, vetëm dy vjet më i madh, është në detyrë aktive me forcat e sigurisë së mikro-republikës separatiste. Qëllon kundër ukrainasve që drejton vëllai i tij i vogël. Për Kievin, ai nuk është gjë tjetër veçse një “terrorist”. Pavlo dhe Evjeny: vëllezërit kundër në luftën Rusi-Ukrainë.
Në kohën e emërimit të tij guvernator të kufirit më të rrezikshëm të vendit, atij të Donjeckut, presidenti Zelensky mbajti një fjalim. Ish-aktori me të vërtetë nuk është mësuar ti fusë çështjet e pakëndshme nën tapet, ashtu sikur flet për mbështetjen e vogël të aleatëve perëndimorë, përfshirë dhe atë të OKB-së apo të dyshuarit e infiltruar.
“E di që Pavlo Kirilenko nuk i pëlqen të flasë për vëllain e tij Evjeny, por që unë do ta bëj, – tha Zelensky. – Kam studiuar dhjetëra informacione për familjen Kirilenko. Babai dhe nëna nuk donin të largoheshin nga zonat e pushtuara. Ata janë ukrainas, janë të moshuar, është e drejta e tyre të mos largohen nga vendi i tyre. Pavlo nuk i ka dëgjuar prej vitesh. Vëllai Evjeny, nga ana tjetër, është terrorist: ai ka zgjedhur armikun dhe nuk ka justifikime. Nuk ka asgjë më shumë për të thënë. Pavlo është një patriot që e kam preferuar nga tetë kandidatë për këtë post. Ai është më i miri për të udhëhequr rezistencën kundër rebelëve të Donetsk, siç është vëllai i tij. Rroftë Pavlo Kirilenko!”, guvernatori i Donbasit të Ukrainës.
Pavlo Kirilenko do të mbushë 36 vjeç në maj, por ai ka sytë e plakur të një 50-vjeçari. Në tavolinë, mban medaljen e trimërisë që mori pas tre javësh luftë: “Për mbrojtjen e tërësisë territoriale”.
“E kam diskutuar tashmë shumë herë, mund të konsiderohet një tragjedi, por e vërteta është se nuk i mendoj më si të afërm. Familja ime është gruaja ime dhe dy fëmijët e mi. Prej 8 vitesh nuk flas me prindërit dhe vëllain tim dhe as nuk dua të marr vesh asgjë prej tyre. E vërteta është se ne, kurrë nuk kemi folur se çfarë të zgjedhim, midis Rusisë apo Ukrainës. Nuk ishte një temë, askush nuk e priste të ishte. Si prokuror-ushtarak, kam bërë një betim dhe jam treguar besnik. Ata, nuk i di dhe nuk më interesojnë më”.
Ideja për t’u përballur me ta në betejë ju kalon para sysh. Vërtet jeni kaq indiferent?
Babai im ishte inxhinier dhe ndërtoi shumë fabrika çeliku në Ukrainën e pavarur. Një familje e shkolluar, si shumë të tjera. Veç se në momentin kur ishte fjala për zgjedhjen, kishte një përçarje. E papritur, por e thellë, e dhimbshme, e pakthyeshme. Dhe kjo është e gjitha. Le te flasim për diçka tjetër.
A do të jenë në gjendje aleatët rusë të vëllait tuaj të marrin Donbasin?
Ne e dimë se ata po grumbullojnë një arsenal të madh armësh dhe trupash. Duke avancuar nga jugu dhe veriu. Është e qartë se ata duan të na rrethojnë dhe synojnë Sllovianskun dhe Kramatorskun. Por këto janë qytete të Ukrainës. Jemi në shtëpi dhe ne do t’i mbrojmë.
A do të mjaftojnë armët perëndimore?
Armiku është më i madh se ne, por ne kemi vendosmërinë. Armët e duhura do të jenë vendimtare. Ne jemi në pritje të sistemeve me precizion të lartë, duam mbështetje nga partnerët tanë jo vetëm me fjalë, por me vepra dhe të shpejtë. Beteja po fillon, përveç Ukrainës, ne po mbrojmë edhe Evropën.
Nëse do të mund të zgjidhje, a do të kërkonit më shumë dronë apo më shumë raketa “Javelin” antitank?
Të dyja, sepse janë plotësuese. Me dronë ne mund të monitorojmë armikun, mund të parashikojmë lëvizjet e tyre, me raketa mund t’i shkatërrojmë ata edhe në distancë të afërt.
A është e vërtetë që aviacioni ukrainas është ende aktiv?
Sigurisht. Ne fluturojmë me luftëtarë dhe helikopterë në mbështetje të trupave tokësore. Ato janë aq të dobishme sa pilotët tanë do të ishin gati të përdornin avionët e gjeneratës së katërt dhe të pestë.
Pra, “Su-34”, “Mig-29” ose “F-16 Born”. Por a do të ishin në gjendje pilotët ukrainas?
Po. Mjafton që të vijnë. Sa më shpejt.
A e dini se ka nga ata që besojnë se jeni ju që hodhët raketat në stacionin Kramatorsk?
Unë jam prokuror. Unë di të inspektoj një skenë krimi dhe të mbledh prova. Tashmë kemi konstatuar trajektoren e dy raketave “Tochka U” dhe numrin serial të tyre. Sapo imazhet satelitore të deklasifikohen, do të jetë e qartë se ato janë lëshuar nga zonat pro-ruse. Bëhet fjalë për raketa precize, njëra e ngarkuar me bomba thërrmuese, për të vrarë sa më shumë civilë. Janë krime lufte pa asnjë dyshim.
Po Mariupoli? A do t’i lini ushtarët e Azovit dhe marinsat tuaj të vdesin?
Mund të them vetëm se po kryejnë detyrën e tyre ushtarake. Qëllimet tona strategjike janë arritur. Jemi në luftë. Duhet të luftojmë./ Andrea Nicastro/ Corriere della Sera