Aktualitet Morën peng të riun për borxhin, në pranga dy persona

Morën peng të riun për borxhin, në pranga dy persona

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se në Kashar, disa persona të paidentifikuar, kishin marrë peng një shtetas, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hostage”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Sh. K., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” duke përdorur torturën, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;

-D. Ç., 37 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” duke përdorur torturën, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tyre, shtetasit S. P., 30 vjeç, banues në Paskuqan, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” duke përdorur torturën, kryer në bashkëpunim.

Falë punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi S. P., në bashkëpunim me shtetasin Sh. K. dhe shtetasen D. Ç., kanë marrë peng dhe më pas e kanë dhunuar fizikisht në banesën e shtetases D. Ç., shtetasin E. S., 31 vjeç, për shkak të një borxhi.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Sh. K., kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.