Rusia nuk e ka kapërdirë fundosjen e luftanijes “Moskva” dhe ka nisur disa sulme hakmarrëse nga ajri ndaj dy qyteteve kryesore të Ukrainës, Kievit dhe Lvivit.
Kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko tha se këtë të shtunë rusët bombarduan sërish kryeqytetin.
Me anë të një postimi në Telegram, ai tha se shpërthimet kanë ndodhur në lagjen Darnytskyi. Ai shtoi se numri i viktimave ende nuk dihet, ndërsa ekipet e shpëtimit ndodheshin në vendngjarje.
Por jo vetëm në Kiev, Rusia ka shkuar deri në perëndim të Ukrainës me anë të sulmeve të saj mëngjesin e së shtunës. Guvernatori i Lviv, Maksym Kozytskyi, tha se ka pasur sulme nga ajri midis orës 05:46 dhe 07:02. Ai shtoi se sistemi i mbrojtjes raketore ka funksionuar, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Situata mbetet kritike në Mariupol, ku forcat ukrainase po përpiqen të thyejnë rrethimin rus.
Ukraina: Ekuipazhi i anijes ‘Moska’ nuk është shpëtuar
Një zyrtar ukrainas pretendon se asnjë nga 530 personat brenda anijes “Moska” që u fundos të enjten nuk është shpëtuar.
Rusia nga ana tjetër thotë se ka evakuuar me sukses ekuipazhin përpara se anija të fundosej.
Pretendimi i Ukrainës nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. As zyrtarë të lartë të Pentagonit dhe as Rusia nuk kanë dhënë detaje mbi viktimat e mundshme në bordin e “Moskës”.
“Një stuhi pengoi shpëtimin e anijes dhe evakuimin e ekuipazhit,” tha Natalia Goumenyuk, zëdhënëse e komandës ushtarake të Ukrainës jugore.