Disa shkencëtarë nga Oksford kanë paralajmëruar se një mesazh i koduar që NASA po planifikon të dërgojë në hapësirë do ta vinte planetin tonë në rrezik nga një sulm alien.
Përgjigja e pyetjes, a jemi vetëm në këtë univers? – i ka munduar gjithnjë shkencëtarët, por të gjitha përpjekjet për të gjetur prova të jetës inteligjente deri tani kanë dështuar.
Dhe ky mesazh ka pikërisht këtë qëllim – vendosjen e një ure komunikimi mes nesh dhe civilizimeve të mundshme aliene.
Para se të vdiste, fizikanti i famshëm Stephen Hawkings ka paralajmëruar vazhdimisht kundër përpjekjeve të tilla të cilat duhet thënë nuk janë të parat.
Mesazhi i parë i kësaj natyre është realizuar në vitin 1974 dhe qëllimi i tij ka qenë pikërisht transmetimi i koordinatave të sakta të vendndodhjes së planetit tonë në galaktikë.
Ky mesazh quhej Arecibo, dhe versionit të tij të përditësuar në vitin 2022, i është dhënë emërtimi “Feneri i Galaktikës”.
Në mesazh tregohet vendndodhja ekzakte e sistemit tonë diellor si dhe një ilustrim i Rrugës së Qumështit, sipërfaqes së tokës, ADN-së tonë si dhe figurave të një burri dhe një gruaje humane.
Gjithashtu, në mesazh përfshihen disa koncepte bazike matematikore dhe fizike si edhe disa informacione rreth përbërjes biokimike të planetit Tokë.
Mesazhi përfundon me një ftesë takimi mes nesh dhe këtyre civilizimeve.
Sipas akademikëve të Oksford ama këto përpjekje po injorojnë tërësisht mundësinë se këto civilizime aliene mund të mos tregohen edhe aq miqësore ndaj nesh.
Sipas disa deklaratave të shkencëtarit Ander Sandberg nga Institutin e të Ardhmes së Njerëzimit në Oksford për The Telegraph, transmetimi i këtyre informacioneve sensitive në hapësirë e përball tokën me një rrezik të konsiderueshëm.
Në vitin 2015, Hawking ishte pjesë e një eventi gjatë të cilit ai tregoi mbështetjen e tij për kërkimet e jetës aliene, ama ai gjithashtu paralajmëroi kundër ekspozimit tonë ndaj tyre duke marrë një shembull konkret nga përballjet e njerëzimit me specie më pak inteligjente se vetja.
“Nëse hedhim një sy kah historia, kontakti mes njerëzve dhe organizmave më pak inteligjente ka provuar të jetë gjithnjë shkatërrues – të paktën nga këndvështrimi i species tjetër – ndaj edhe takimet mes civilizimeve më të avancuara me ato me primitive kanë shkuar gjithnjë keq për ato më pak të avancuarat,” – tha ai.
Hawking shtoi se alienët kanë shumë mundësi të jenë më të fuqishëm dhe më inteligjent se ne dhe se “ata mund të na shohin ne, njësoj siç ne shohim sot bakteret.”