Ernejt Shyti, i arrestuar si ekzekutor i Behar Sofisë te Piramida në shkurt të 2021, ka zgjedhur të jetë bashkëpunues me Prokurorinë e Posaçme.
Sipas Tv Klan, 23-vjeçari duke treguar për ditët e përgatitjes së atentatit, flet edhe për personin i cili do të jepte lekët për punën që ata do kryenin.
Teksa qëndronte në heshtje dhe merrte instruksionet për vrasjen që do kryente, i riu ka dëgjuar nga anëtarët e tjerë të grupit se ky person kishte dy pseudonime.
“Unë kam dëgjuar Bujarin që i ka thënë Xhuljanos se Bajlozi t’i hedh lekët me çantë te dera e shtëpisë. Në këtë moment Xhuljano e pyeti pse e thërrisnin kështu dhe Bujari i tha se ai ka pasur një pseudonim tjetër, e kemi pas thirrur edhe “I Forti i Myslym Shyrit””.
Shyti tregon se Bujar Leza është personi që ka siguruar mjetet për vrasjen, nga arma të biçikleta, teksa Xhuljano Visha e ka shoqëruar në çdo moment të përgatitjes.
Grupi hetimit është duke i verifikuar të dhënat e përfituara nga dëshmia e bashkëpunëtorit, të cilët siç thotë SPAK deri në këtë fazë kanë rezultuar të besueshme dhe korrespondojnë me përgjime dhe verifikimet e tjera.
Ndërkohë hetimet janë përqendruar në identifikimin e personit që përmendet nga Shyti si financues, si dhe porositësve të ngjarjes, raporton Tv Klan.