Aktualitet Korrupsion dhe grupe kriminale: SPAK përgjoi 1500 persona gjatë vitit 2021

Korrupsion dhe grupe kriminale: SPAK përgjoi 1500 persona gjatë vitit 2021

Godina e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)

SPAK ka përgjuar 1500 persona gjatë vitit 2021. Ata janë të dyshuar si autorë ngjarjesh kriminale ose si persona që kanë dijeni për to.

Bisedat e kryera nga rreth 2000 numra telefoni kanë kaluar në filtrat e oficerëve përgjues. Si rezultat i këtyre përgjimeve, vitin e kaluar u arrestuan 179 persona.

Shumica e këtyre numrave, mbi 900 të tillë, janë vënë nën përgjim mbi dyshimet se bëhej fjalë për grupe të strukturuara kriminale.

850 të tjerë janë vënë nën përgjim pas dyshimeve për korrupsion

Përgjimi është përdorur në 129 hetime të Prokurorisë së Posaçme.

SPAK përgjon pa marrë leje tek Prokuroria e Përgjithshme.

Që prej vitit të kaluar, SPAK ka një qendër të saj të përgjimeve, veçuar nga sistemi i përgjimit në administrim të prokurorisë së Përgjithshme. Sistemi i përgjimit me teknologji të përparuar është blerë nga ministria e brendshme me kontratë të klasifikuar në dhjetor të 2019-ës dhe ka mbërritur në zyrat e SPAK në shtator të 2020-ës.

Gjatë 2021, SPAK ka hetuar 675 dosje. Hetimi ka përfunduar për 226 të tilla. Vetëm 20% e tyre janë çuar në gjykatë. Çështjet e tjera ose janë pushuar dhe pezulluar, ose janë transferuar në prokuroritë e rretheve pasi nuk kanë qenë në të drejtën e SPAK për t’i hetuar.