Bota Rusia testoi raketën më të fuqishme në botë, SHBA nuk surprizohet: Nuk...

Rusia testoi raketën më të fuqishme në botë, SHBA nuk surprizohet: Nuk është një kërcënim

Rusia ka testuar sot raketën balistike interkontinentale më të fuqishme në dispozicion, që njihet ushtarakisht si raketa e tipit Sarmat RS-28 në Rusi dhe Satan-2 në vendet e Perëndimit.

Raketa që mund të përshkojë mbi 13 mijë kilometra dhe ka kapacitetin për të mbajtur deri në 13 bomba atomike brenda saj, sipas kanaleve zyrtare është testuar me sukses, duke nisur nga baza e Plesetsk në veriperëndim dhe duke arritur disa minuta më vonë objektivat në gadishullin e Kamçatkës, në ekstremin lindor, jo larg Japonisë.

Duke përgëzuar oficerët përgjegjës për testimin, Putin deklaroi se Satan-2 do të jetë ushqim për “mendjen e atyre që guxojnë të kërcënojnë Rusinë, armiqtë tonë duhet ta mendojnë dy herë”.

Pas lajmit të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes se ka testuar raketën e re, ka reaguar dhe Pentagoni.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë se nuk është një kërcënim për SHBA-në dhe aleatët e saj, pasi Moska e njoftoi siç duhet Uashingtonin për testimin sipas detyrimeve të traktatit bërthamor.

“Nuk ishte një surprizë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.