Bota Greqia rrit pagën minimale me 50 euro që nga 1 Maji

Greqia rrit pagën minimale me 50 euro që nga 1 Maji

Për të dytën herë gjatë vitit, Greqia rrit pagën minimale, në përpjekje për të ndihmuar familjet që po përballen me rritjet e çmimeve.

Gjatë një fjalimi televiziv kryeministri Kyriakos Mitsotakis u shpreh se paga bazë do të rritet me 50 euro nga 1 maji, duke arritur në 713 euro në muaj.

“Shqetësimi i përbashkët është se çdokush po përballet me çmimet e larta të shkaktuara nga kriza botërore e energjisë, lufta në Ukrainë, çmimet e energjisë. Vendimi për të rritur pagën minimale me 50 euro është një vendim përgjegjësi dhe solidariteti. Jetojmë në kohë të vështira, dhe shqetësim kryesor është që të mos ndërpresim kohezionin tonë social”, u shpreh kryeministri grek.

Qeveria konservatore e Mitsotakis në janar e rriti pagën minimale në 663 euro. Por, qytetarët kanë këndvështrime të ndryshme.

“Rritja e rrogës me siguri do të ndihmojë. Gjithçka po rritet, por pagat mbeten të njëjta, ndaj çdo rritje është e mirëseardhur”, u shpreh qytetari Christos Gallas.

“Nëse vetëm energjia kushton 400 euro, atëherë çfarë mund të paguash me 700? Nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet, çmimet janë të larta”, tha Yiorgos Tzalas.

Inflacioni  në Greqi u rrit në 8.9% në mars, duke kapur nivelin e tij më të lartë në 27 vite. Çmimet e gazit natyror u rritën me 68.3% me bazë vjetore, ndërsa çmimet e energjisë elektrike me 79.3%.

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Athinës në fillim të këtij muaji për të protestuar kundër rritjes së çmimeve.

Qeveria ka shpenzuar rreth 4.0 miliardë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet, bizneset dhe fermerët për  të përballur rritjen e faturave të energjisë elektrike dhe gazit.