I diskutueshëm mbetet një material i publikuar të mërkurën nga Pierce Morgan në lidhje me një intervistë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Pyetja që ka lindur është nëse Donald Trump është larguar vërtet i inatosur apo materiali është prerë në këtë mënyrë në trailerin për të reklamuar emisionin e ri të Morgan, i cili do të ketë premierë javën e ardhshme dhe do të përfshijë intervistën.
Trump është i ftuari i parë i Morganit në emisionin e tij të ri, “Piers Morgan Uncensored”. Në pamjet e publikuara, prezantuesi britanik i tha ish-presidentit se ai humbi në vitin 2020 dhe se ishin një “zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
“Vetëm një budalla do ta besonte këtë,” u përgjigj Trump, ndërsa Morgan u përgjigj: “A mendoni se unë jam budalla?”
“Unë e besoj tani, po,” tha Trump, duke i thënë Morganit se ishte shumë më i sinqertë se ai. Në pamjet e Morganit, Trump tha më vonë se do të dëshironte të përfundonte intervistën dhe bëri thirrje që kamera të fiket, duke e quajtur Morganin “shumë të pandershëm”.
Trump e quajti udhëheqësin e pakicës së Senatit, Mitch McConnell një “budalla” dhe ish-zv.presidentin e tij, Mike Pence gjithashtu një “budalla dhe të dobët”.
Intervista 75-minutëshe do të shfaqet në emisionin e parë të programit “Piers Uncensored” në TalkTV të hënën në orën 20:00. Trump dhe Piers kanë qenë miq për 15 vjet, por ish-presidenti u mërzit nga një sërë komentesh kritike që gazetari ka bërë për sjelljen e tij në detyrë.
Ata u përplasën para fillimit të intervistës dhe më pas edhe përpara kamerave. Piers i tha “The Sun” se Presidenti e pa me “tërbim” dhe gati po nxirrte “shkumë nga goja”. Në një moment presidenti i bërtiti: “Çfarë f**k është kjo? Ti nuk je i vërtetë. Ti je një fallco”. Piers u përgjigj: “Jo, unë jam thjesht brutalisht i sinqertë”.
Trump më vonë lëshoi një deklaratë në lidhje me intervistën. “Pierce Morgan, ashtu si Fake News Media, u përpoq të redaktonte në mënyrë të paligjshme dhe mashtruese intervistën e tij të gjatë dhe të lodhshme me mua”, tha ai, pa shpjeguar se çfarë ishte e paligjshme në redaktim.
Trump shtoi: “Lajmi i mirë është se intervista u filmua nga ne si një mënyrë për ta mbajtur atë të ndershëm”. Morgan, i cili po kthehet në televizion pas largimit të tij të diskutueshëm nga “Good Morning Britain” vitin e kaluar, do të japë më shumë detaje rreth intervistës së tij me Trump në një rubrikë që do të publikohej në New York Post.
Intervista do të transmetohet më 25 prill në Fox Nation, si dhe në TalkTV.