Pas pranimit të ankimimit të vendimit të Enkelejd Alibeaj nga Gjykata, e cila më herët njohu statusin e dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit, ka ardhur edhe reagimi i Gazment Bardhit.
Në një postim në Facebook deputeti demokrat shprehet se vendimet e gjykatave zbatohen, nuk mund të komentohen apo sulmohen.
Sipas tij vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri ishte dhe është tërësisht i paligjshëm.
“Siç ka thënë edhe Sali Berisha më 25 Mars: Vendimet e gjykatave zbatohen, nuk mund të komentohen, nuk mund te sulmohen. Nuk mund të kesh dy standarde, kur na pëlqen vendimi e zbatojmë, kur nuk na pëlqen e sulmojmë. Vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri ishte dhe është tërësisht i paligjshëm. Qetësisht institucionet legjitime të partisë kanë ndjekur dhe po ndjekin rrugën ligjore për zhbërjen e atij vendimi të paligjshëm. Askush nuk duhet të shqetësohet nga zbatimi i ligjit dhe duhet të ruaj qetësinë derisa drejtësia t’i shkojë deri në fund kësaj çështje”.
Bardhi thekson se kërcënimet ndaj gjyqtarëve apo blerja apo shitja e vendimeve gjyqësore i përkasin drejtësisë së korruptuar dhe një mentaliteti të vjetër politik që ka mbajtur peng të ardhmen e Shqipërisë.
“Kërcënimet ndaj gjyqtarëve, dërgimi i mercenarëve të rikthyer së fundmi brenda gjyqësorit për të joshur gjyqtarët, blerja apo shitja e vendimeve gjyqësore, kthimi i selive të partive në salla gjyqi të humbur, i përkasin drejtësisë së korruptuar alla Zhukri dhe një mentaliteti të vjetër politik që ka mbajtur peng të ardhmen e Shqipërisë.
Për qartësi të opinionit publik, dua të sqaroj se palë në një proces ku shqyrtohet kërkesa për regjistrim të një statuti të një partie politike, është vetëm PARTIA POLITIKE, ndërkohë se kush e ka të drejtën e përfaqësimit e cakton gjykata në çështje themeli”.