Sizmiologu i IGJEUM Edmond Dushi, thotë se tërmeti i fuqishëm në Bonje-Hercegovinë që u ndje edhe në vendin tonë, ka qenë goditja kryesore.
Sipas tij, tërmeti është ndjerë në të gjitha vendet e Ballkanit.
“Ka prekur vendet kufitare me vatrën, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë por është ndjerë pothuajse në gjithë pjesën e Ballkanit, në pjesën veriore dhe veriperëndimore. Magnitudë paraprake 6 e shkallës Rihter dhe jemi duke pritur akoma një version të fundit për magnitudën, por duket qartë që është një tërmet i cekët dhe për rrjedhojë ka shkaktuar dhe një ndjeshmëri të konsiderueshme”, tha ai për Klan News.
Sipas sizmologut Edmond Dushi, pritet të ketë pasgoditje të tjera, por në magnitudë më të ulët që mund të ndihen vetëm në zonat pranë vatrës së tërmetit.
“Kjo është goditja kryesore, jemi duke pritur është versioni paraprak që jep sistemi i IGJEUM. Ndërkohë jemi duke pritur version përfundimtar të vlerësimit të magnitudës dhe epiqendrës së tij, por është goditja kryesore dhe është ndjerë goxha gjatë për shkak të pranisë së valës sipërfaqësore që tregon që është një vatër e cekët.
Kjo duket të jetë goditja kryesore, atëherë gjithë pasgoditjet pritet të kenë një magnitudë më të ulët se sa goditja kryesore që do të thotë nuk do të ndihen, nuk do të kenë ndjeshmëri, do të ndihen vetëm lokalisht në zonën e vatrës së tërmeti.
Në rast se do të kemi goditje të cilat do të kenë magnitudë të krahasueshme, atëherë përsëri mund të kemi efekte por që duke marrë shkas nga fakti që kjo është një goditje kryesore deri tani, ne presim që të gjitha pasgoditjet të kenë një intensitet më të ulët përsa i përket ndjeshmërisë”.
Tërmeti me magnitudë 5.7 goditi Bosnje-Hercegovinën mbrëmjen e së premtes dhe u ndje pothuajse në të gjithë Shqipërinë, por edhe në shtetet e tjera të Ballkanit.