Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për familjarët dhe biznesin e vogël.
Në një intervistë televizive, Balluku foli për situatën në vend në lidhje me çmimin e energjisë dhe propozimin për një çmim tjetër për konsumatorët mbi 700 kV.
“Janë dy fakte të ndryshme, para së gjithash nuk ka një vendim. Kemi nisur një analizë tregu për të parë se si mund të funksionojë. Në rast se mbifashon 700 kV të konsumit do të vendosej një çmim tjetër dhe kjo vjen edhe për faktit të kërkesës që ka pasur nga publiku, pasi nuk mundet që të gjithë të paguajnë të njëjtin çmim, ndërkohë që siç e ka thënë kryeministri disa herë, ndriçime oborresh, pishinash, lulishtesh të kenë të njëjtin trajtim me ata njerëz që e kanë për konsum bazik”, tha ajo.
Balluku shtoi se qeveria nuk do ndryshojë asgjë nga ato çfarë ka thënë, konsumatori familjar do të mbrohet duke mos rritur asnjë qindarkë për çmimin e energjisë, ashtu siç do të bëhet edhe me biznesin e vogël.
“Kjo është diçka që ne duhet ta themi, por biznesi i vogël ka një rëndësi të veçantë, pasi është motori i ekonomisë shqiptare, por për sa i përket përdorimit familjar, atëherë 700 kV janë të mjaftueshme dhe të kënaqshme për një familje me një numër të konsiderueshëm anëtarësh”, tha ajo.
Në lidhje me pyetjen se sa do të rritet çmimi, Balluku tha se ende nuk ka një vendim.
“Nuk ka një vendim për rritjen e çmimit. Ne jemi akoma në analizë për të kuptuar se si është konsumi dhe më pas do të vendosim se si do të funksionojë. Kjo ka ardhur si kërkesë e familjarëve, pasi e konsiderojnë të padrejtë faktin se të gjithë paguajnë njësoj, ndërkohë që ka konsume që nuk kanë lidhje me konsumimin bazik”, tha ajo.