Në një prononcim për mediat ruse, ministri i jashtëm Sergei Lavrov ka paralajmëruar se ka mundësi që konflikti të përshkallëzohet me armë bërthamore.
Lavrov shtoi se Moska dëshiron që të shmangë rreziqet e ngritura të një konflikti të tillë.
“Rreziqet e luftës bërthamore janë serioze dhe reale dhe Kremlini dëshiron të zvogëlojë të gjitha shanset për t’i ngritur këto rreziqe. Ky është pozicioni ynë kyç mbi të cilin ne bazojmë gjithçka. Rreziqet tani janë të konsiderueshme. Dhe ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë“, u shpreh Lavrov.
Ministri i jashtëm rus po ashtu akuzoi presidentin ukrainas Zelensky duke e quajtur atë një “aktor të mirë”.
“Nëse shikoni me vëmendje dhe lexoni me vëmendje atë që thotë, do të gjeni një mijë kontradikta”, tha kryediplomati rus për presidentin e Ukrainës.
Pas kësaj deklarate të kreut të diplomacisë ruse ka ardhur edhe reagimi i homologut ukrainas Dmytro Kuleba. Sipas tij kërcënimi i Moskës për rrezikun e një lufte të tretë botërore tregon se Rusia po e kupton se do të humbasë.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba është i bindur për këtë dhe shkruan në rrjetet sociale se “Moska humb shpresën e fundit për të frikësuar botën që mbështet Ukrainën, prandaj flet për një rrezik real të Luftës së Tretë Botërore. Kjo do të thotë vetëm se Moska ndjen humbje në Ukrainë. Prandaj bota duhet të dyfishojë mbështetjen e saj për Ukrainën në mënyrë që të mbizotërojë dhe të ruajë sigurinë evropiane dhe globale”, theksoi ai.