Disa shkolla në Malin e Zi janë evakuuar si pasojë e alarmeve për bombë. Sipas asaj që shkruajnë mediat vendase, drejt email-eve të shkollave dhe drejtuesve të tyre kanë shkuar disa mesazhe kërcënuese.
“Ne po veprojmë në përputhje me protokollin dhe po marrim të gjitha masat”, tha policia.
Njësia speciale e policisë nuk ka gjetur eksploziv as në objektin e kryeqytetit, as në shkollat në Cetinje, ka thënë për Portalin RTCG, zëdhënësi i kryeqytetit, Ivan Banoviq.
“Pas kontrollimit të detajuar të objektit të Prijestonicës nuk është gjetur asnjë lëndë plasëse, kështu që punonjësit janë kthyer në punë dhe kanë vazhduar punën. Gjithashtu, lënda plasëse nuk është gjetur as në shkollat e Cetinjes që kanë marrë raportin për bombë”, ka thënë Banoviq.
Mes shkollave të evakuuara janë edhe ato fillore. “Vijesti” shkruan se prindërit kanë shkuar që të marrin të vegjlit e tyre në shkolla pas alarmeve për bombë.
Në një email të dërguar ndaj drejtorëve të shkollave në Nikshiq thuhej se ishin vendosur më shumë bomba dhe se “është hakmarrje e se do të derdhet shumë gjak”.
Policia ka dalë në terren dhe po kontrollon të gjitha shkollat për ndonjë pajisje të mundshme shpërthyese.
“Stafet dhe policia kanë informuar prindërit, të cilët duhet të vijojnë të komunikojnë me administratën e shkollave për të vazhduar mësimin pas kontrolleve policore”, thuhet në një deklaratë.