Këshilli i Ministrave ka shtyrë deri më 31 Dhjetor 2022 gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike.
Në vendimin e qeverisë, thuhet se vendimi është marrë me propozim të zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj dhe ministres së Energjisë, Belinda Balluku.
“Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 31 dhjetor 2022”, thuhet në vendimin e marrë të enjten.
Qeveria e Shqipërisë në tetor 2021, shpalli emergjencë energjetike deri në prill 2022.
Kryeministri Rama në atë kohë deklaroi se vendimi merrej për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.
Pas vendimit, qeveria bëri publike dhe një plan me 3 pika, ku përfshihej garantimi i furnizimit me energji, mbrojte e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit dhe caktimi i 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër.