Ish-kryetarja e Parlamentit dhe ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, është përlotur kur ka dalë në foltore për të mbajtur fjalën e saj në Kuvendin që po zhvillohet këtë të shtunë.
Teksa po zbriste drejt foltores, Topalli u shoqërua me duartrokitje, çka duket se e preku dhe nisi të përlotet në nisje të fjalimit të saj. Ish-nënkryetarja e PD u shpreh mirënjohëse ndaj të gjithë demokratëve të pranishëm.
“Kur dola nga shtëpia për një moment po mendoja sikur një Kuvend tjetër më parë të kisha dalë dhe të kisha thënë ato që kam thënë gjatë këtyre viteve. Sot më latë pa fjalë, ju jam shumë mirënjohëse”, tha Topalli.
Topalli: Nuk jam larguar kurrë nga PD, boll e keni lënduar këtë parti
Jozefina Topalli është rikthyer në Partinë Demokratike dhe në Kuvendin e zhvilluar ditën e sotme ka mbajtur një fjalim emocional. Ajo u shpreh se nuk është larguar kurrë nga PD, por partia u largua nga demokratët.
“Dikush do thotë se ti ike e krijove lëvizjen tënde. Unë nuk jam larguar kurrë nga PD. Ka ikur ajo nga demokratët”, u shpreh Topalli.
Topalli u shpreh se nuk i ka shitur kurrë miqtë dhe familjen e saj politike. Sa i përket PD ajo bëri thirrje “atyre që çojnë partinë e tyre në gjykatë, në mënyrë të palegjitimuar” që të mos e lëndojnë më këtë parti.
Sipas Topallit jo vetëm PD-ja, por edhe Shqipëria ka ndryshuar për keq.
“Para se të me akuzonin për armike më kanë akuzua për arrogancë. Mbase pasioni për të drejtën të bën të dukesh edhe arrogant, të ndjehesh edhe trim, por blerë e shitur miqtë, familjen politike, gjakun e familjarëve të mi, vetminë e fëmijëve të mi të rritur me shumë me gjyshe se me mua, nuk e kam bërë kurrë! Dhe këtë megjithëse mundohem, nuk e harroj dot; por natyrisht e kam fal. Ndaj jam këtu sot. Se konsideroj situatën si një pikë kritike për opozitën, pluralizmin dhe per vendin. Jam këtu me vetëdijen, që sot jo vetëm PD është në krizë, por struktura politike në Shqipëri ka ndryshuar për keq! Balancat janë prishur. Pothuaj çdo gjë është kthyer në korrupsion! Ngado të hedhësh sytë përkthehet vetëm para, gjë që bën gati qesharake këdo që mendon se në këtë botë përveç parasë ka edhe shumë gjëra të tjera të forta që kanë mbajtur në ekuilibër njerëzimin. Por jam sot këtu, edhe sepse besoj se asgjë nuk është e pamundur”.
“Atyre që çojnë partinë e tyre në gjykatë, në mënyrë të palegjitimuar i them se boll e keni lënduar këtë parti nga e cila keni marrë pa merituar”.
“Jam këtu se nuk kam ndër mend me ndalu apo me qëndru anash; do jem si gjithmonë vehtja ime, si besimtare e parimeve demokratike për të gjithë ditët që më mbeten”, tha Topalli.