Sipas Elon Musk, do të vijë një ditë shumë shpjet që një nga produktet e tjera të kompanisë së tij, do të shitet më shumë se çdo gjë tjetër, përfshirë makinat.
Robotët humanoidë të Tesla-s sipas Musk, do të kthehen shumë shpejt në produktin më të vlefshëm në planet.
Tani mund të duket e çuditshme, por në fare pak vite, njerëzit do ta kuptojnë rëndësinë e robotit me emrin Optimus, ka parashikuar ai.
“Jam habitur që disa njerëz nuk e kuptojnë ende përmasën që do të marrin robotët Optimus. Ata që janë largpamës dhe që dinë të dëgjojnë, e kuptojnë mjaft mirë që një ditë, Optimus do të vlejë shumë më tepër se biznesi i makinave dhe shumë më tepër se sistemi i makinave autopilot. Kjo është më shumë se e sigurt.” – tha Musk gjatë një prej prezantimeve të tij javën e shkuar.
Çfarë është Optimus?
Këta robotë janë ndërtuar për të performuar detyra repetitive.
Musk e prezantoi këtë produkt për herë të parë gjatë verës së shkuar.
Gjatë prezantimit, Musk tha se qëllimi i kësaj makinerie është të ulë në maksimum koston e punëve të rëndomta.
“Ai synohet të jetë një robot miqësor që sigurisht mund të lundrojë lehtësisht në botën e humanëve duke eliminuar punët e rrezikshme, repetitive dhe të mërzitshme,” – tha Musk.
Miliarderi deklaroi gjithashtu se ai imagjinonte një të ardhme ku robotët kryenin punët me të mërzitshme për pronarët e tyre human.
“Atyre do t’u jepen urdhra të tipit, të lutem shko pak deri në dyqan dhe më sill këto gjëra,” – shtoi Musk.
Por pyetja e parë që ngrihet nga kritikët është çështja e sigurisë.
Sa të rrezikshëm mund të jenë këta robotë për njerëzit?
Në të shkuarën, vetë Musk ka ngritur alarmin rreth rreziqeve të inteligjencës artificiale duke thënë se që sot, ata janë shumë më të zgjuar nga ç’mund ta imagjinojnë njerëzit.
Por, në lidhje me robotin Optimus, Musk ka deklaruar se ai po dizajnohet në mënyrë që të fiket apo ç’aktivizohet nga njerëzit në momentin e parë që diçka shkon gabim.
Tesla ka njoftuar se ky robot do të jetë 1.72 cm i gjatë dhe 57 kg në peshë.
Ai do të mund të ngarkojë pesha deri në 20 kg, të ngrejë deri në 68 kg, dhe të lëvizë me një shpejtësi deri në 8 km/orë.
Fytyra e tij do të shërbejë si një ekran për ‘informacione të dobishme’.
Mbetet për t’u parë kur ky robot do të jetë gati për të dalë në treg.
Sidoqoftë, sipas një studiuesi të Inteligjencës Artificiale, Gary Marcus, “premtimet e Elon Musk, se ai do të jetë gati para vitit 2023, nuk janë tejet realiste.
“Pas përpjekjeve të shumta gjatë viteve, Tesla ende nuk ka zgjidhur problemin e vozitjes së makinave elektrike apo sistemin auto-pilot; të pretendohet që një robot i vetëm i cili nuk është treguar kurrë në publik, do të jetë gati vitin e ardhshëm dhe do të zëvendësojë detyrat e rëndomta është thjesht absurde,” – tha ai.