Zviceranët janë identifikuar gjithnjë me qëndrimet e tyre neutrale madje ata njihen si hartuesit e parë të politikave të neutralitetit, por zhvillimet e fundit i kanë tensionuar gjakrat duke i vendosur para një zgjedhje të vështirë.
Javët e fundit, Zvicra ka refuzuar dy kërkesa të Gjermanisë për të eksportuar municione drejt Ukrainës duke provokuar një debat të zjarrtë rreth vlerave dhe identitetit europian.
Ç’qëndrim pritet të mbajë ajo tani, përballë një trysnie të vazhdueshme nga Perëndimi?
Neutraliteti zviceran parashikon që ky shtet të mos përzihet me asnjë konflikt ushtarak apo politik mes dy apo më shumë shteteve të tjera.
Kjo politikë ka qëllim të promovojë paqen dhe të garantojë sigurinë e shtetasve zviceran.
Që prej vendosjes së neutralitetit gjatë Traktatit të Parisit në vitin 1815, Zvicra nuk ka marrë pjesë në asnjë luftë – përfshi dy Luftërat Botërore.
Madje ata pritën deri në vitin 2002, për t’iu bashkuar OKB-së.
Por, konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës duket se i ka lëkundur themelet e kontinentit europian duke shkaktuar një ‘tërmet’ të vërtetë mes politikbërësve dhe qytetarëve zviceran që po vihen para një zgjedhje të vështirë – që nuk iu është dashur ta bëjnë prej qindra vitesh.
A do të jetë lufta e Putin – ajo që i sjell fundin neutralitetit zviceran?
Të përballuara me një presion të paprecedentë – Finlanda dhe Suedia po rendin për herë të parë drejt dyerve të NATO-s, duke anashkaluar kërcënimet e njëpasnjëshme të Putin. Ata thuhet se do të marrin një vendim për t’u anëtarësuar brenda muajit.
Por Zvicra duket se po tregohet shumë më e palëkundur.
Pasi presidenti Putin vendosi të hynte në Ukrainë më 24 shkurt 2022, e gjithë Europa së bashku me SHBA-në, e goditi atë me sanksione të njëpasnjëshme ekonomike – sanksione të cilave Zvicra nuk iu bashkua për ditë të tëra derisa më në fund u dorëzua duke u bërë dhe ajo pjesë.
Ky ishte hapi i parë i cili nisi të vinte në dyshim pozicionin e Zvicrës në këtë luftë që duhet thënë është konflikti më i madh dhe më kërcënues për Europën qysh prej Luftës së Dytë Botërore.
Kjo lëvizje u përshëndet masivisht nga liderët perëndimorë ama brenda për brenda Zvicrës ajo shkaktoi një debat përçarës – sidomos nga e djathta ekstreme e cila kërkon të mbajë një qëndrim stoik duke mos vënë në diskutim neutralitetin zviceran.
Partia më e madhe në Zvicër është partia e djathtë SVP apo Partia Popullore Zvicerane.
Ajo ka propozuar që kjo çështje të zgjidhet me referendum – si e vetmja mundësi për të marrë një vendim i cili do të ishte kompatibël me vlerat demokratike.
Por kjo nuk do të ishte hera e parë që Zvicrës i është dashur të marrë një vendim që e vë në pikëpyetje neutralitetin e saj.
Sa neutrale është vërtetë Zvicra?
Gjatë Luftës së Ftohtë, ajo u bë fshehurazi pjesë e shteteve që vendosën embargon ekonomike kundër bllokut sovjetik – një lëvizje që u pranua prej tyre shumë vite më vonë.
Në të njëjtën kohë, Zvicra refuzoi të bëhej pjesë e bojkotit kundër regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut – gjë që e lejojë atë të fitonte disa dhjetëra miliarda dollarë nga tregtia e arit.
Një rast i ngjashëm ndodhi edhe gjatë Luftës së II Botërore, kur zviceranët vazhduan të blinin arin e nazistëve, duke u kthyer kështu në një prej investitorët më të mëdhenj në ekonominë gjermane të kohës që i dha një ndihmë të jashtëzakonshme përpjekjeve të luftës nazistë.
Këto janë disa pika kyçe të historisë, ku Zvicra ka treguar lëkundje për sa i përket neutralitetit të saj por zhvillimet e fundit duket se kanë fuqinë të ndryshojnë tërësisht rrjedhën e historisë.
Konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë ka provuar të jetë një çështje krejtësisht unike që po lëkund edhe themelet e disa prej shteteve më të fuqishme si Finlanda e Suedia – ndaj qëndrimi i Zvicrës deri në fund mbetet për t’u parë.
Gjatë një sondazhi të zhvilluar në mars 2022, u pa se 27% e zviceranëve ishin pro anëtarësimit në NATO, ndërsa plot 67% ishin kundër.
Mundësitë se Zvicra do t’i bashkohet NATO-s duken të pakta, ama se sa ajo do të vazhdojë t’i rezistojë presionit të jashtëm për të ndërhyrë në Ukrainë, do të shihet në vazhdim.