Politika Topi: Njeriu që s’më zhgënjeu kurrë ishte Ina Rama

Topi: Njeriu që s’më zhgënjeu kurrë ishte Ina Rama

Ish-Presidenti Topi tha në një intervistë të fundit se njeriu që nuk e kishte zhgënjyer kurrë gjatë presidencës së tij, propozuar prej tij në një post të lartë të sistemit të drejtësisë, ishte Ina Rama. Pra, pikërisht gruaja që do i kushtonte atij akuzat nga Sali Berisha si implikuar në 21 Janarin.

“Ishte propozimi mi. Ka qenë një proces konsultimi, ka ardhur propozimi nga më shumë se dy deputetë të qarkut të Durrësit, nga njerëz të vlefshëm, fjala e të cilëve respektohej. U bë pjesë e një konsultimi edhe me kryeministrin. Për hir të së vërtetës është një nga njerëzit që nuk më zhgënjeu asnjëherë në pritshmëritë.

Me integritet të lartë moral dhe profesional dhe me cilësi që ajo më shumë se konsiderata ime i ka demostruar vetë. Një përzgjedhje mbi bazën e parametrave bazal të nevojshëm për të zgjedhur një individ nga shumë të tjerë. Unë si ish-president ruaj konsiderata më të larta për veprimtarinë dhe profesionalizmin”, u shpreh Topi për ish-Kryeprokuroren, e cila tentoi të hetojë vrasjen e 4 protestuesve nga Garda, por që u pengua nga Berisha, duke u etiketuar rëndë madje si “lavire bulevardi”.

Nga ana tjetër, ai shprehu zhgënjim që Rama tjetër, ai kryeministër, nuk po diktonte hapje hetimesh për 21 Janarin. “Ai që është sot në pushtet ka një detyrim të madh, arsyen pse se prek gjyqin politik e di ai. Nuk aludoj fare, por është detyrë e parlamentit që të kthej kokën pas…”, u shpreh Bamir Topi, ish-president i vendit në vitet 2007-2012.